E Diel, 1 Nëntor 2026

Boçi: Të shtyhen afatet e Komisionit të Reformës Territoriale, 1/3 e Shqipërisë nuk ka realizuar dëgjesën

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Luciano Boçi, kërkoi sot në Kuvend shtyrjen e afatit të veprimtarisë së komisionit, duke argumentuar se puna e tij nuk ka përfunduar dhe se raporti përfundimtar nuk mund të hartohet pa u përmbyllur të gjitha procedurat e parashikuara.

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Boçi u shpreh se kërkesa për shtyrjen e afatit është logjike dhe e argumentuar, pasi komisioni ndodhet ende në mes të procesit të punës dhe ka realizuar vetëm një pjesë të objektivave të përcaktuara.

Sipas tij, përfundimi i afatit nuk nënkupton përfundimin e punës së komisionit, ndërsa një raport përfundimtar nuk mund të paraqitet për një proces që nuk është mbyllur.

“Komisioni i Reformës Territoriale është në mes të punës së tij. Nuk mund të kërkohet një reformë apo një raport përfundimtar, kur në fakt komisioni nuk e ka përfunduar punën dhe nuk ka ende një produkt. Komisionet i dërgojnë produktet e tyre në seancë plenare vetëm pasi ato të jenë diskutuar dhe debatuar. Ky raport nuk është diskutuar dhe komisioni nuk ka arritur ende të bëjë vlerësimin e reformës së vitit 2014”, tha ai.

Boçi theksoi se deri tani komisioni ka realizuar vetëm fazën e vlerësimit të reformës administrativo-territoriale të vitit 2014, ndërsa mbetet për t’u zhvilluar një pjesë e rëndësishme e procesit, përfshirë seancat dëgjimore të parashikuara në projektkalendar.

Sipas Boçit, ende nuk janë zhvilluar dëgjesat në një pjesë të konsiderueshme të vendit gati 1/3 e Shqipërisë, përfshirë Tiranën, si edhe dëgjesat tematike dhe konsultimet me kryetarët e bashkive.

“Përderisa kjo punë nuk ka përfunduar dhe komisioni nuk ka një produkt final, ai duhet të kërkojë shtyrjen e afatit”, deklaroi Boçi, duke shtuar se kërkesa është paraqitur prej tij në cilësinë e bashkëkryetarit të komisionit.

Në fjalën e tij, Boçi akuzoi mazhorancën se synon të realizojë një reformë me karakter politik, duke pretenduar se mund të preken edhe bashki që, sipas tij, kanë performancë të mirë në ofrimin e shërbimeve dhe përfaqësimin e qytetarëve.

“Për ne, kryesore janë përmbajtja, thelbi i punës së këtij komisioni dhe produkti i tij përfundimtar. Ajo që po bëni ju është politike, sepse doni të shkrini bashki që u ofrojnë shërbime qytetarëve dhe realizojnë atë që kërkon Europa: përfaqësimin e qytetarëve në pushtetin vendor. Kërkesa jonë është legjitime. Ju, përfaqësuesit e së majtës, nuk dini se cilat bashki do të shkrihen. Në fakt, bashki do të shkrihen, por ju nuk jeni pyetur. Madje, as kryetarët e bashkive nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me njësitë që drejtojnë. Prandaj, kjo përgjegjësi rëndon edhe mbi ju. Janë anashkaluar të gjitha hallkat e konsultimit publik dhe parlamentar. Votoni sot për zgjatjen e afatit të këtij komisioni, sepse kështu i bëni nder vetes dhe Parlamentit”, përfundoi Boçi.

Propozimi u rrëzua me shumicë votash kundër dhe 27 vota pro.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›