Botërori 2027 për vajza, Curraj dhe Hamonikaj: Ta nisim me fitore ndaj Malit të Zi

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Kombëtarja e vajzave zbriti paraditen e sotme në fushë për seancën e radhës stërvitore.
I gjithë grupi ishte i plotë, ndërsa stafi dhe lojtaret u fokusuan në ushtrime taktike për vendosjen në fushë.
Në një intervistë për FSHF.org, dy mbrojtëset e kombëtares, Arbenita Curraj dhe Klea Hamonikaj, deklaruan se skuadra do të luftojë për të siguruar qëndrimin në Ligën B dhe për të arritur rezultate pozitive në ndeshjet e ardhshme.
Mbrojtësja e Kombëtares shqiptare dhe e Genoas, Arbenita Curraj, foli për objektivat e skuadrës dhe pritshmëritë për këtë edicion kualifikues të Botërorit, duke treguar ambicien dhe karakterin e ekipit.
“Edhe pse objektivi për të shkuar në Botëror është pak i largët për ne, gjithmonë e nisim fushatën me këtë synim. Objektivi ynë është të marrim fitoren e parë me Malin e Zi dhe më pas të vazhdojmë për të qëndruar në Ligën B”, u shpreh Curraj.
Ajo shtoi se skuadra ka analizuar kundërshtarët e Grupit B1, përfshirë Malin e Zi dhe Çekinë, me të cilat është përballur edhe më herët, por theksoi se futbolli është në zhvillim të vazhdueshëm dhe çdo ndeshje kërkon përgatitje maksimale.
Klea Hamonikaj, mbrojtësja kuqezi e Apolonisë është gati për dy ndeshjet e para të këtij edicioni. E motivuar dhe e fokusuar, ajo premton maksimumin dhe një paraqitje të mirë nga skuadra në këtë edicion të ri të kualifikuesve.
“Do të mundohemi të japim maksimumin dhe të arrijmë rezultat pozitiv në të dyja ndeshjet. E rëndësishme është paraqitja e mirë, sidomos në ndeshjen e parë ndaj Malit të Zi”, deklaroi Hamonikaj.
Ajo vlerësoi se skuadra vjen nga një moment pozitiv pas rezultatit të fundit ndaj Qipros, që siguroi qëndrimin në Ligën B, duke theksuar se ekipi mbetet i motivuar për të vijuar me rezultate të mira.
Sa i përket kundërshtarëve në Grupin B1, Hamonikaj theksoi se Mali i Zi dhe Uellsi janë skuadra të forta, por nënvizoi se në futboll nuk ka rivalë të lehtë dhe Kombëtarja shqiptare ka treguar se mund të përballet me sukses edhe me kundërshtare më të vështira.
/gj.m/a.f/