E Hënë, 2 Nëntor 2026

Brataj: 500 raste në javë me Omicron, nuk shkakton pasoja të rënda

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj tha sot se kryesisht temperaturat apo virozat e kësaj stine, janë COVID, një variant i Omicron-it, por që fatmirësisht nuk shkakton pasoja të rënda.

Në një intervistë televizive sot, Brataj tha se “COVID nuk ka ka ikur asnjëherë. Ka një shtim të Covid të një forme të re që nuk shkakton pasoja të rënda XFG ose Stratus, është variant i Omicron. Ka pasur rritje në të gjithë Europën edhe tek ne, ka pasur raste, nga 200, 300 deri në 500 në javë. Të gjitha këto, temperaturat, virozat, kryesisht janë të COVID-it. Viruset janë gjithë kohës dhe janë parazitët më të mëdhenj, se jetojnë në qelizat tona”.

“Ka viruse që me të nxehtin aktivizohen dhe me të ftohtin po ashtu aktivizohen. Enterovirozat, për shembull, janë ato të verës. Na shkaktojnë që nga bllokimi, kolla, dhimbje grykësh apo diarre. Gripi, COVID-i, ka gjithë vitin mund të ketë forma të lehta, por kryesisht shfaqen më shumë gjatë motit të ftohtë. Këto viruse shfaqen që me fundin e verës, deri në mars”, tha Brataj.

Kreu i Urgjencës Kombëtare Mjekësore tha se “çdo sëmundje të çon në fatalitet te një person me patologji, me imunitet të ulët. Por personat me shëndet të mirë, nuk kanë probleme. Personat e sëmurë, me imunitet të ulët, fëmijët 0-4 vjeç mund të çojnë në pasoja. Fashat në rrezik janë personat me imunitet të ulët, patologjitë pulmonare e kalojnë më vështirë. Në përgjithësi nuk është me fatalitet”.

“Fatmirësisht 80% e njerëzve që infektohen nuk shfaqin sëmundje dhe shumica e tyre nuk shfaqin simptoma. Rastet më të shpeshta të urgjencave janë viroza dhe problemet respiratore. Pati një rritje të rasteve të urgjencave, pasi dhe fluksi i turistëve në vend u rrit”, tha Brataj.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›