Brenda vitit hartohet draftligji për kriptovalutat dhe asetet digjitale

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Drejtoresha e përgjithshme e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Mimoza Kaçi deklaroi sot se brenda këtij viti pritet të finalizohet draftligji për kriptovalutat dhe asetet digjitale (MiCA), një nismë që synon të krijojë një kuadër të qartë rregullator për këtë treg në zhvillim.
Gjatë raportimit vjetor në Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Kaçi theksoi se procesi i hartimit të ligjit ka avancuar ndjeshëm dhe tashmë është përgatitur një draft i parë, i cili është hedhur për konsultim me grupet e interesit.
“Kemi punuar për draftimin e ligjit dhe është përgatitur një version i parë. Ai është dërguar për konsultim me grupet e interesit. Parashikojmë që drafti i plotë të finalizohet brenda këtij viti”, tha Kaçi.
Kaçi informoi se gjatë vitit 2024 është kryer një vlerësim krahasues i kuadrit ligjor vendas me atë të Bashkimit Evropian, ku rregullorja e re për kriptovalutat ka hyrë në fuqi plotësisht këtë vit.
“Procesi edhe në vendet e BE-së nisi me një implementim gradual, ndërsa prej këtij viti po zbatohet në mënyrë të plotë”, shtoi ajo.
Sipas saj, pjesë e punës për hartimin e ligjit janë edhe Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe ajo e Ekonomisë dhe Inovacionit, me qëllim ndërtimin e një baze ligjore që garanton transparencë, siguri dhe mbrojtje të investitorëve në tregun e kriptovalutave.
Ekspertët në treg përllogarisin se numri i shqiptarëve që kanë portofol digjital llogaritet mbi 80 mijë.
Pak ditë më parë kreu i SPAK raportoi se në 2024 janë sekuestruar kriptovaluta me një vlerë prej 11 milionë euro.
/a.f/r.e/