E Hënë, 2 Nëntor 2026

Breshëria e plumbave në Laç, zbardhet dinamika, arrestohen dy autorët

Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mesditën e sotme në qytetin e Laçit, ku si pasojë e një konflikti me armë zjarri mbetën të plagosur pesë shtetas. Dy persona janë arrestuar si autorë të dyshuar të ngjarjes, ndërsa janë sekuestruar armët e përdorura në krim.

Sipas informacioneve zyrtare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:27 dhe ka pasur si shkak një konflikt të çastit mes disa të rinjve, që fillimisht nisi për një aksident rrugor me dëme të vogla materiale dhe më pas degjeneroi në përdorim armësh.

Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe analizës së pamjeve të kamerave të sigurisë, u arrit të dokumentohej dinamika e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve. Në vendngjarje janë përdorur dy armë zjarri (pistoleta), një armë e ftohtë (përforcues grushti), si dhe dy automjete që tashmë janë sekuestruar si prova materiale.

Në përfundim të hetimeve paraprake, u arrestuan në flagrancë shtetasit Daniel Gjeloshi, 27 vjeç, i cili mbeti i plagosur gjatë konfliktit por ndodhet jashtë rrezikut për jetën, dhe Klevis Ndreca, 28 vjeç. Të dy akuzohen për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për vijimin e hetimeve të mëtejshme.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›