Britania dhe Japonia marrëveshje historike, paketë prej 18 miliardë paundësh për investime, teknologji dhe mbrojtje

Kryeministri britanik Keir Starmer priti këtë të diel në Downing Street homologen japoneze Sanae Takaichi, në një takim të rëndësishëm që paraprin samitin e vendeve të G7-s. Gjatë vizitës, dy liderët zyrtarizuan një paketë investimesh dhe bashkëpunimi me vlerë mbi 18 miliardë paund, që pritet të krijojë dhjetëra mijëra vende të reja pune në Britaninë e Madhe.
Marrëveshja përfshin investime të mëdha në infrastrukturë, shërbime financiare dhe projekte të energjisë së pastër. Një pjesë e konsiderueshme e fondeve do të përdoret për zhvillimin e parqeve të erës në det të hapur, me synimin për të rritur prodhimin e energjisë së rinovueshme. Në fokus të bisedimeve ishte edhe zgjerimi i bashkëpunimit në sektorin e mbrojtjes, ku të dy vendet synojnë të forcojnë partneritetin strategjik.
Palët ranë dakord gjithashtu për krijimin e një partneriteti të ri teknologjik që përfshin inteligjencën artificiale, gjysmëpërçuesit dhe kompjuterikën kuantike. Starmer dhe Takaichi riafirmuan mbështetjen për projektin e përbashkët të avionit luftarak të gjeneratës së ardhshme, që konsiderohet një nga programet më ambicioze të mbrojtjes mes dy vendeve.
Në tryezën e diskutimeve u trajtua edhe sigurimi i zinxhirëve globalë të furnizimit për mineralet kritike, të domosdoshme për industrinë e teknologjisë dhe energjisë. Kryeministri britanik e cilësoi marrëveshjen një hap të rëndësishëm për rritjen ekonomike dhe forcimin e sigurisë. Vizita e Takaichit në Londër shënon ndalesën e parë të turit të saj europian dhe konfirmon afrimin gjithnjë e më të madh mes Britanisë dhe Japonisë.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/