Bujtinat në Tropojë, vizitorët përjetojnë traditën e mikpritjes shqiptare

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Tropoja, një nga destinacionet më autentike të turizmit malor të vendit tonë, pret vizitorë si në verë, dhe në dimër, ndërsa flukset turistike kanë shtuar kërkesën për akomodim.
Bujtinat e ngritura me mund nga banorët e zonës janë kthyer tashmë në pjesë të eksperiencës për vizitorët pasi nuk janë thjesht vende akomodimi, por një mënyrë jetese, një traditë mikpritjeje që trashëgohet brez pas brezi.
Bujtinat e Tropojës janë të ndërtuara shpesh me dru dhe gur, të thjeshta në pamje, por të ngrohta në gjithçka ato “servirin” për vizitorët vendas, por edhe për turistët e huaj. Disa bujtina janë të pozicionuara në luginën e lumit Valbona, e të tjera mes peizazhit natyror të Alpeve. Çdo bujtinë ka historinë e vet, dhe në çdo derë të hapur të pret një buzëqeshje dhe një filxhan kafeje ose çaj mali.
Për turistët, qëndrimi në bujtina është një përvojë e veçantë. Nuk bëhet fjalë vetëm për fjetje, por për jetën e përditshme në mal. Ushqimi është tradicional, produkte bio nga vetë familjet pritëse, djathë i freskët, mish i thatë, bukë e pjekur në saç dhe gatime që mbajnë aromën e traditës. Në mbrëmje, zjarri në oxhak gjatë dimrit dhe qetësia e maleve krijojnë një atmosferë që nuk gjendet në hotele moderne.
Turizmi në Tropojë është i lidhur ngushtë me natyrën. Vizitorët shpesh vijnë për hiking, për të eksploruar Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës, ose për të kaluar shtigjet e famshme malore që lidhin lugina dhe fshatra të izoluar. Bujtinat shërbejnë si pika pushimi, ku udhëtarët rimarrin energjinë e tyre, si edhe përjetojnë mikpritjen e vërtetë shqiptare.
Ajo që e bën Tropojën të veçantë nuk është vetëm bukuria natyrore, por mënyra se si njerëzit e saj e ndajnë këtë bukuri me vizitorët. Mikpritja e veçantë i bën shpesh vizitorët të largohen me ndjesinë se kanë fituar jo vetëm një eksperiencë turistike, por edhe miq të rinj.
Bujtinat e Tropojës janë sot një nga shtyllat kryesore të turizmit malor në Shqipëri, një urë mes traditës dhe turizmit modern, mes natyrës së egër dhe mikpritjes tradicionale.
1 nga 6/e.i/j.p/r.e/