E Diel, 1 Nëntor 2026

Bukuri alpine në Grykat e Hapta në Tropojë

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Peizazhet malore të mbuluara me dëborë, pavarësisht kushteve atmosferike, shndërrohen në destinacione për alpinistët dhe dashamirësit e natyrës.

Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga Grykat e Hapta, në Tropojë, të cilat janë veshur nga bardhësia e dëborës, duke krijuar një panoramë mahnitëse dimërore.

Grykat e Hapta, maja më e lartë e të cilave arrin një lartësi prej 2 625 m, shtrihen midis pjesës së sipërme të luginës së Valbonës në veri dhe luginës së Nikajt në jug.

Nga perëndimi vazhdon me kreshtat e Zhaborrëve, kurse në juglindje qafa e Droçës e ndan nga Mali i Hekurave. Ka formën e një trungu konik me shpate shumë të pjerrëta (shpati lindor e perëndimor formojnë rrëpira 700-800 m të thella).

Rreth majës kryesore ngrihen dhe katër maja të tjera me lartësi mbi 2400 m. Grykat e Hapëta janë krejtësisht të zhveshura nga bimësia duke i kthyer në sfidë për alpinistët.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›