Bulevardi në duart e protestuesve, vijon presioni për dorëheqjen e Ramës

Ka kaluar më shumë se gjysma e ditës së 11-të të protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, ndërsa qindra qytetarë vijojnë të qëndrojnë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në Sheshin “Skënderbej”, duke kërkuar largimin e kreut të qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike.
Që prej orës 18:00, protestuesit kanë nisur të grumbullohen masivisht në qendër të Tiranës. Me flamuj kombëtarë, pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, ata kanë mbushur bulevardin kryesor të kryeqytetit, duke e kthyer atë në epiqendrën e revoltës qytetare që vijon prej 11 ditësh.
Gjatë mbrëmjes janë dëgjuar vazhdimisht thirrjet “Rama ik”, “Revolucion”, “Shqipëri e Re”, si dhe slogane që kërkojnë përgjegjësi nga e gjithë klasa politike. Organizatorët kanë përsëritur se protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa pjesëmarrësit kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen.
Mbështetje për protestën kanë shprehur edhe shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Në disa qytete europiane janë zhvilluar tubime solidarizuese, me mesazhe në mbështetje të protestuesve në Tiranë.
Ndërkohë, forca të shumta policie kanë qenë të pranishme përgjatë gjithë mbrëmjes për të monitoruar situatën dhe për të garantuar rendin publik. Deri më tani nuk janë raportuar incidente serioze, ndërsa protesta është zhvilluar në mënyrë paqësore.
Teksa nata avancon, qytetarët vijojnë të qëndrojnë në bulevard, duke përsëritur se protesta nuk do të ndalet deri në largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e kursit politik të vendit.