E Premte, 6 Nëntor 2026

Buxheti 2025, Shalsi: Të vendosur për të ngulur flamurin e Shqipërisë në oborrin e BE-së

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi foli sot në Kuvend në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, duke e nisur fjalën e tij me një ngushëllim për familjarët dhe miqtë e 14 vjeçarit, nxënës i shkollës “Fan Noli” që u vra nga bashkëmoshatari i tij ditën e djeshme.

“Thellësisht i trishtuar, madje i mbushur me një indinjatë të madhe nga humbja tragjike e jetës së një djaloshi. Ngushëllimet dhe lutjet tona shkojnë për familjarët, të afërmit, shokët dhe shoqet, ndërkohë që nuk mund të mos bëjë një thirrje për pjesën racionale tuajën që të distancohen nga disa sjellje që më shkaktuan një nauzea. Një sjellje të shëmtuar, madje të neveritshme të disa prej jush që u përpoqën ta përdorin për kapital politik një ngjarje tragjike. Dhe kush? Disa individë, përfaqësues të një force politike që ka mishëruar dhunën dhe agresivitetin që arriti klimaksin, teksa sulmoi godinën e PD, apo një force politike që përdor fëmijët në protesta. Kjo ngjarje tragjike, është një kujtesë, një kambanë mbi rëndësinë për të adresuar dhunën, agresivitetin dhe për të marrë edhe ne përgjegjësitë tona. Është një përgjegjësi kolektive, për të cilën duhet të reflektojmë thellë dhe se si t’i shndërrojmë ngjarje të tilla në leksione për të rritur ndërgjegjësimin, për të mbrojtur në mënyrë të kujdesshme dhe për të marrë një angazhim të fortë që të kultivojmë respektin midis nxënësve, mësuesve dhe komunitetin”, tha Shalsi.

Deputeti i Partisë Socialiste, foli edhe për buxhetin 2025 duke e cilësuar ekonominë shqiptare si të fortë dhe të qëndrueshme. “Për fatin tuaj të keq, deputetë të opozitës dhe fatin e mirë të shqiptarëve, ekonomia është e shëndetshme, po rritet në mënyrë të qëndrueshme, rreth 4.1% tre mujori i dytë i këtij viti. Investimet e huaja direkte po kapin shifrën 1.6 milionë euro. Sistemi bankar është rentabël, është likuid, madje lajmi i fundit është që kredia është rritur me 16%.

Vëllimi dhe aktiviteti ekonomik është rritur në mënyrë të qëndrueshme. Tregu i punës, papunësia është në nivelet më të ulta, 10.6%. PBB ka kapur shifrën 25 miliardë, konsumi është rritur me 6%.

Dëgjova një deputet, që institucionet e huaja financiare ndërkombëtare, i cilësoi patronazhistë të huaj. FMN dëshmoi që ekonomia shqiptare është ekonomia më e fortë në rajon. Standard & Poors dhe Moody’s e klasifikuan Shqipërinë në BA3, si kurrë më parë në historinë e tranzicionit shqiptar”, u shpreh Shalsi.

“Inflacioni po normalizohet, ndaj të nderuar kolegë deputetë jeni krejtësisht jashtë realitetit, ndoshta ngaqë rrini me njëri tjetrin helmatisni dhe toksifikoni njëri-tjetrin, po ka disa indikatorë të gjithëpranuar që dëshmojnë se Shqipëria po përjeton një momentum për të cilin kjo mazhorancë dhe ky kryeministër ka një meritë të jashtëzakonshme”, vijoi ai.

Shalsi theksoi se qeveria Rama dhe mazhoranca socialiste janë të vendosur për të ndjekur reformat dhe për ta ngritur flamurin e Shqipërisë në oborrin e BE-së.

“Varfërinë tuaj po mundoheni ta projektoni si varfëri të shqiptarëve, ndërkohë zymtësinë tuaj si mungesë të perspektivës shqiptare sepse edhe mendimet edhe opinionet tuaja formësohen nga pasiguria juaj dhe nga dëshira e secilit prej jush për të lëpirë aty ku ka pështyrë, për një pozicion deputeti. Kjo mazhorancë që ka një fuqi të jashtëzakonshme transformuese, objektivin madhor do të vazhdojë ta ndjekë me këmbëngulje, pasion, vullnet dhe profesionalizëm.  Objektivi ynë është të ngulim flamurin e Shqipërisë në oborrin e Bashkimit Evropian dhe për këtë nuk ka forcë që na ndalon”,- përfundoi Shalsi.

/a.f

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›