Bylis synon tri pikët kundër krizës

Bylis do të presë Vorën të martën për javën e nëntë të “Abissnet Superiore”, i zhytur në krizë rezultatesh, me tri humbje radhazi. Për ballshiotët nuk ka alternativë veç fitores për t’iu larguar zonës së ftohtë, ndërkohë që Vora ka katër pikë më tepër.
Bylis do të presë Vorën të martën në orën 14.00 në stadiumin “Adush Muça”, me synimin e dhënies fund të krizës së rezultateve. Skuadra ballshiote ka tri humbje radhazi, me Teutën, Vllazninë dhe Elbasanin, pas fitores së vetme në tetë javët e para të kampionatit, e arritur kundër Partizanit.
Skuadra e Mirel Josës ka pësuar katër humbje, po aq sa edhe Vora, dhe golaverazhin e kanë të barabartë, me nga shtatë gola të shënuar e nëntë të pësuar. Diferencën midis skuadrës vendase dhe asaj debutuese e bëjnë fitoret e arritura, tri për Vorën, që kanë krijuar edhe diferencën e pikëve, katër më tepër për skuadrën e Arian Bellait.
Loja në shtëpi nuk jep garanci për ballshiotët, që kanë pësuar dy humbje në fushën e tyre në pesë ndeshje, përfshirë edhe atë me Flamurtarin, ku Bylis cilësohej si skuadra udhëtuese. Vora ka luajtur katër ndeshje në transfertë dhe dy prej tyre i ka humbje, ndërkohë që ka arritur një barazim, si dhe një fitore, kundër Elbasanit, për javën e shtatë.
Për momentin Vora është e distancuar katër pikë nga zona e ftohtë, ndërkohë që Bylis qëndron në vendin e tetë vetëm falë golaverazhit më të mirë se Tirana.