Bylykbashi: Fajin për përmbytjet në Durrës e ka korrupsioni

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, njëkohësisht drejtues politik i PD-së për qarkun e Durrësit, i shoqëruar me drejtues të tjerë strukturash të PD-së, inspektoi sot disa zona dhe banesa të përmbytura në Durrës.
Bylykbashi e cilësoi gjendjen si “katastrofike”, dhe theksoi se “vjen nga dora e qeveritarëve dhe jo e natyrës”.
“Fajin nuk e kanë shishet plastike që kanë bllokuar kanalet, siç pretendon Kryeministri! Fajin e ka korrupsioni dhe grykësia e qeveritarëve që ka masakruar dhjetëra miliona euro të hedhura dëm”, theksoi Bylykbashi.
Sipas tij “rezultati është kjo përmbytje, për të cilën shumë banorë thonë që nuk e kanë parë asnjëherë në këto 30 vite”.
Bylykbashi theksoi se hidrovori i ri është jashtë kuotës së nevojshme dhe nuk tërheq ujë sa duhet,
“Përsëritjet, duke u rënduar e përmbytjes 3 herë nga janari 2025 deri më sot, banorët dhe specialistët i lidhin drejtpërdrejt me punimet për hidrovorin e ri që është jashtë kuotës së nevojshme e nuk tërheq ujë sa duhet, mbulimit të 2,6 km kanal të ujërave të larta që duhet të mbledhë ujërat e kodrave, por e mbuluan për ta kthyer në shëtitore mes varrezave, mospastrimit të kanaleve kryesore”, shkruan Bylykbashi.
Deputeti i PD-së kërkoi që “prokuroria të nisë menjëherë hetimet për të gjetur përgjegjësitë e veprimeve dhe mosveprimeve kriminale të Bashkisë Durrës në shpenzimin e dhjetëra milionë eurove ndër vite”.
/m.q/j.p/