Bylyku: Rrëshqitjet e tokës në zonën Librazhd-Përrenjas të dokumentuara prej vitesh

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Drejtori i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, Adrian Bylyku deklaroi sot se zona e Librazhdit dhe ajo e Përrenjasit karakterizohen nga rrëshqitjet e tokës, ndërsa u shpreh se në rastin e shembjes së rrugës ka ndikuar shumë edhe sasia e lartë e reshjeve.
Bashkë me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bylyku ishte i pranishëm në një takim me banorët e prekur nga shembja e rrugës Librazhd-Përrenjas.
Bylyku nënvizoi se zona e Librazhdit dhe Përrenjasit është një zonë tipike e rrëshqitjeve, pasi ka një gjeomorfologji me shpate të pjerrëta dhe me formacione shkëmbinjsh që kanë në përbërje zhavorre dhe inerte.
Ai theksoi se rrëshqitja e tokës për të gjithë banorët e kësaj zone është një problem historik dhe vazhdon.
“Nga pikëpamja gjeologjike historiku i rrëshqitjeve të kësaj zone fillon që nga vitet ’60-’70 ku shërbimi gjeologjik ka hartat me të cilat këto rrëshqitje të kësaj forme, të kësaj madhësie janë të dokumentuara prej kohësh”, shtoi ai.
Faktori i fundit që merret në konsideratë, sipas Bylykut, është dhe faktori i erozionit.
“Po ashtu kemi ndryshimet klimatike që sjellin shtimin e reshjeve. Ky është elementi dhe faktori kryesor për t’u marrë në konsideratë me rrëshqitje siç ka ndodhur në Spatharë në janar apo në zonën e Librazhdit prej 30 vitesh”, shtoi ai.
Ndërkohë Bylyku informoi se Shërbimi Gjeologjik ka bërë në matjen e analizave fiziko- mekanike matjen e lagështisë në gati 35% deri 50 % të kampioneve që ka marrë, ku rezulton sasia e lagështisë 33%.
“Do të thotë që e gjithë kjo strukturë në këtë periudhë që ne kemi marrë analizën ka pasur një shtim në anën e masës gati minimalisht me 1/3. Këto janë elementët kryesor. Projekti i shpimit, projekti i gjeofizikës bashkë me gjithë elementet që ne do marrim në konsideratë do jetë një informacion i rëndësishëm që do t’i vlejë ARRSH-së për të vazhduar me gjurmën e duhur në Korridorin VIII”, shtoi ai.
/m.m/r.e/