Çatitë e gurta, trashëgimi që vazhdon, mjeshtërit gjirokastritë ruajnë arkitekturën unike të qytetit

Tingujt e çekiçëve mbi gurë dëgjohen këto ditë të ftohta në lagjet karakteristike të Gjirokastrës. Mjeshtrit e çative janë duke siguruar dhe hijeshuar çatitë tradicionale të banesave prej guri, një element i pazëvendësueshëm i arkitekturës së qytetit muze.
Mjeshtri i çative, Bledar Hatika, thekson “se vitet e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të interesit nga banorët e Gjirokastrës për ndërtimin dhe restaurimin e çative karakteristike”.
Hatika nënvizon se përzgjedhja e materialeve dhe sekretet e zanatit kanë një ndikim të madh në jetëgjatësinë e çative tradicionale. “Të gjitha çatitë që shikoni janë nga malet tona”, tha mjeshtri.
Sipas tij, të rinjtë duhet t’i drejtojnë sytë nga ky zanat, pasi kërkesa është e lartë dhe mjeshtrit janë gjithnjë e më të paktë.
Këto ndërtesa kanë një rëndësi të veçantë për ruajtjen e stilit dhe historisë lokale, duke i dhënë Gjirokastrës një pamje autentike dhe unike që e dallon nga çdo qytet tjetër.
Gazetare: L. Koçiu
/rtsh.al/