Ceka në ekspozitën e ATSh-së: Pasuri e vyer dokumentare për historinë e Shqipërisë

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Ekspozita me fotografi e hapur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSh) në ambientet e Kalasë së Tiranës, vazhdon të tërheqë vëmendjen e vizitorëve, duke u vlerësuar si një aktivitet me rëndësi për ruajtjen e kujtesës historike.
Ditën e sotme, ekspozitën e vizitoi arkeologu dhe personaliteti i njohur i jetës publike në vend, akademik Neritan Ceka.
Gjatë vizitës, Ceka vlerësoi rolin historik të ATSh-së në dokumentimin e zhvillimeve politike, kulturore dhe shoqërore të vendit, duke e konsideruar atë pjesë të elitës së institucioneve shqiptare.
“Është një histori elite e institucioneve më të shquara të Shqipërisë, siç është Muzeu Kombëtar, Opera apo Teatri Kombëtar. Edhe në këtë elitë bën pjesë Agjencia Telegrafike Shqiptare. Me këtë ekspozim që keni bërë, shfaqet një parahistori e asaj që është konsideruar zyrtare. Kishte një përshtypje se gjithçka fillonte pas vitit 1944, por në fakt kjo histori ka një fillesë më të hershme, që nis me Mihal Sherkon dhe trajektoren e kësaj historie të bukur”, u shpreh Ceka.
Ceka u ndal veçanërisht tek aspekti fotografik dhe rëndësia e arkivës së ATSh-së, duke e cilësuar atë si një pasuri të vyer dokumentare për historinë e Shqipërisë.
“Ajo që na intereson si bashkëjetues të kësaj historie ka qenë shërbimi fotografik i kësaj agjencie. Është një histori e plotë e përdorueshme që në fillesat e saj, në vitet 1930, e deri më sot”, tha ai.
“Kjo është një vlerë që duhet ta ruani. Keni një histori të bukur dhe një arkiv shumë të mirë që duhet ta vini në përdorim. Secili ka pjesën e tij në këtë histori, qoftë edhe kooperativisti i thjeshtë i viteve ’60, nëse ka një fotografi të rrallë. Unë e di që jam në disa foto”, tha Ceka.
Ekspozita e ATSh-së konsiderohet një dëshmi e gjallë e historisë së vendit, përmes fotografive dhe materialeve arkivore që pasqyrojnë momente të rëndësishme nga jeta politike, sociale dhe kulturore ndër vite.
Historiani Neritan Ceka në ekspozitën e ATSh, foto: Andrin Hoxha 1 nga 3/e.r/e.i/a.f/r.e/