E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Celibashi: Aplikojmë Inteligjencën Artificiale në numërimin e votave në dy KZAZ, rezultatet nuk do të kenë vlerë ligjore - ATSH -

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve synon të testojë përdorimin e inteligjencës artificiale në procesin e numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit në zgjedhjet e ardhshme.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, bëri të ditur se projekti do të zbatohet në dy KZAZ, një në Tiranë dhe një tjetër në një bashki relativisht më të vogël, ku si alternativa përmendi Lezhën dhe Lushnjën.

Celibashi theksoi se rezultatet nuk do të kenë asnjë vlerë ligjore dhe nuk do të ndikojnë në certifikimin e rezultatit zgjedhor.

“Po synojmë që ta aplikojmë edhe në këto zgjedhje, si projekt pilot, përdorimin e inteligjencës artificiale për numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit. E qartësoj dhe për të mos pasur asnjë diskutim në lidhje me këtë më pas, rezultatet e këtij projekti nuk janë konkurruese me atë çfarë parashikon sot ligji për numërimin dhe fletëve të votimit dhe nxjerrjen e rezultatit”.

Ai shtoi se nisma mbështetet në parashikimet e Kodit Zgjedhor që i japin KQZ-së mundësinë të eksperimentojë me përdorimin e teknologjisë së informacionit.

“Aplikimi i inteligjencës artificiale do të jetë një test teknik, por asesi nuk do të ketë vlerë ligjore në kuptim të rezultatit apo të certifikimit të rezultatit, por në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të eksperimentojë për përdorimin e teknologjisë së informacionit, ku edhe inteligjenca artificiale shumë mirë mund të përkufizohet si e tillë”, tha ai.

/m.q/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›