Censi i bujqësisë, INSTAT: Mbi 3400 punonjës do të mbledhin të dhëna në terren për 6 javë

TIRANË, 6 korrik /ATSH/ Projektligji “Për censin e bujqësisë” u shqyrtua sot në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, si një hap i rëndësishëm për krijimin e bazës ligjore të zhvillimit të censit sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Drejtoresha e INSTAT, Lantona Sado tha se projektligji krijojë një bazë të qartë ligjore për realizimin e censit të bujqësisë.
“Ky projektligj është hartuar me mbështetjen e donatorëve. Qëllimi është krijimi i një baze ligjore për realizimin e censit në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian. Projektligji është përafruar me legjislacionin e BE-së, duke përmbushur rekomandimet për Kapitullin 18 – Statistikat”, deklaroi Sado.
Sipas saj, Censi i Bujqësisë është operacioni më i madh statistikor që INSTAT ndërmerr pas Censit të Popullsisë dhe Banesave, duke synuar mbledhjen e të dhënave të plota për sektorin bujqësor në rreth 90% të territorit ku ushtrohet aktivitet bujqësor.
“Miratimi i projektligjit i hap rrugë zhvillimit të proceseve operacionale në të gjitha njësitë ku ushtrohet aktivitet bujqësor. Informacioni statistikor do të mblidhet për gjashtë javë në terren nga rreth 3 400 punonjës në të gjithë territorin e vendit”, tha ajo, duke bërë të ditur se INSTAT ka një buxhet prej 1 miliard e 77 milionë lekësh për realizimin e këtij procesi.
Nga ana e tij, zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri theksoi rëndësinë e të dhënave statistikore për hartimin e politikave në sektor.
“Projektligji garanton të dhëna të sakta për sektorin e bujqësisë. Bujqësia nuk mund të ndërtojë politika zhvillimore pa statistika të besueshme. Përpara se të hartojmë politika, duhet të dimë me saktësi gjendjen reale të prodhimit bujqësor. Statistikat janë baza për politika të reja zhvillimi dhe përbëjnë gjithashtu një domosdoshmëri në procesin e integrimit evropian”, u shpreh Guri.
Sipas tij, të dhënat që do të sigurohen nga censi do t’u shërbejnë fermerëve për përfitimin e skemave mbështetëse mbi baza reale, institucioneve për hartimin e politikave efektive dhe përmbushjes së detyrimeve që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
/e.xh/j.p/r.e/