Çernobili rifiton energjinë, por Kievi zbrazet, 600 mijë banorë largohen nga të ftohtët polar

Pas orëve të tensionit të lartë ndërkombëtar, vjen një frymëmarrje lehtësimi për sigurinë bërthamore, por kriza humanitare në Ukrainë thellohet. Centrali bërthamor i Çernobilit është rilidhur me sukses në rrjetin elektrik pas ndërprerjes së shkaktuar nga sulmet masive ruse, ndërkohë që kryeqyteti po përballet me një eksod masiv për shkak të mungesës së kushteve jetike.
Drejtori i uzinës së Çernobilit, Sergiy Tarakanov, konfirmoi pasditen e sotme se furnizimi me energji elektrike është rivendosur përmes Sistemit të Unifikuar të Energjisë së Ukrainës.
“Situata aktuale radiologjike është nën kontroll. Aktualisht nuk ka kërcënim për mjedisin ose popullsinë,” deklaroi Tarakanov, duke qetësuar frikën e një incidenti të mundshëm bërthamor.
Më herët, Rafael Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), kishte dhënë alarmin se nënstacionet energjetike jetike për sigurinë bërthamore ishin goditur nga “aktiviteti intensiv ushtarak”, duke lënë Çernobilin pa energji të jashtme.
Eksodi i madh nga Kievi, -20°C pa ngrohje
Ndërsa rreziku bërthamor u shmang, banorët e Kievit po përballen me një betejë për mbijetesë. Kryebashkiaku Vitali Klitschko bëri të ditur se rreth 600,000 njerëz janë evakuuar nga qyteti në vetëm 10 ditë. Ky eksod vjen pas thirrjes së tij të datës 9 janar për zhvendosje të përkohshme, pasi temperaturat kanë rënë në -20°C dhe infrastruktura energjetike është dëmtuar rëndë, duke lënë lagje të tëra pa ujë, drita dhe ngrohje.
Errësira ka pllakosur edhe institucionet më të larta. Kryetari i Parlamentit, Ruslan Stefanchuk, njoftoi se ndërtesa e “Verkhovna Rada” (Parlamenti) është aktualisht pa energji, ujë dhe ngrohje, një dëshmi e qartë e shkallës së shkatërrimit të rrjetit energjetik nga sulmet e natës.
/rtsh.al/