Çështja e presidentit të ri të Kosovës, Kurti: Diskutime me liderët e opozitës, me rëndësi përmbyllja me sukses

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që i la Kuvendit 34 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se do të ftojë për bisedime liderët e opozitës. Në të njëjtën kohë ai konfirmoi se do të zhvillojë konsultime brenda partisë së tij për të propozuar një kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Unë nuk e kisha kohën e mjaftueshme që t’i bëjë konsultimet e brendshme për takimet e ardhshme, pa dyshim që do të bëjë ftesa për takime për kryetarët e partive opozitare në mënyrë që të shohim se cilat janë rrugët që të arrijmë numrin prej së paku 80 deputetëve, e po e ritheksoj unë nuk besoj që është mirë të jemi vetëm 80 apo 81 deputetë, duhet të jemi rreth 85, 84 deri në 86 që të jemi të sigurt në mënyrë që ta zgjedhim presidentin aty”, u shpreh ai.
Kreu i qeverisë së Kosovës cilësoi se çështja e zgjedhjes së presidentit është urgjente, por sipas tij është me rëndësi që të përmbyllet me sukses.
“Në këtë drejtim, çështja është e rëndësisë së lartë, është urgjente por aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese megjithatë na i ka dhënë një periudhë kohore e cila na mundëson jo vetëm të veprojmë shpejt por njëkohësisht edhe të mos bëjmë gabime në mënyrë që të arrijmë aty ku duhet”, theksoi ai.
Lidhur me gabimet në ekspozitën për krimet e Serbisë në Kosovë, Kurti tha se duhet të korrigjohen dhe duhet të ekspozohen si para botës ashtu edhe para brezave të rinj që të kuptojnë historinë e popullit.
/rtsh.al/