E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çfarë i ndodh trupit kur akrepat kthehen një orë pas

PARIS, 27 tetor /ATSH/ – Miliona njërëz do të shijojnë një orë shtesë gjumë, ndërsa kthehemi në orën standarde, por ekspertët këshillojnë të shkohet edhe jashtë për diell në mëngjes, kjo ndihmon trupin të rregullojë orën biologjike më shpejt, sipas AP.

Ora dimërore filloi dje në orën 2:00 të mëngjesit, që do të thotë se duhet të ktheni akrepat një orë pas para se të flini. Koha standarde do të zgjasë deri më 29  mars, kur sërish do të kthehemi tek ora verore.

Ndërsa shumë njerëz ankojnë për ndryshimet e dyfishta të kohës çdo vit, studimet tregojnë se ndryshimi i pranverës është më i vështirë, pasi humbim një orë gjumë që, pretendimet thonë, e rikuperojmë në vjeshtë.

Por edhe fundi i orës verore mund të sjellë probleme, me ditët më të shkurtra dhe më pak dritë pas shkollës ose punës për aktivitete jashtë.

Studimet shëndetësore kanë rekomanduar prej kohësh adoptimin e kohës standarde gjatë gjithë vitit.

Studimet e fundit nga “Stanford University” e mbështesin këtë, duke treguar se lëvizja e akrepave shkon kundër shëndetit tonë. Koha standarde permanente është pak më e mirë, pasi përputhet më shumë me ritmin natyror të trupit (circadian rhythm).

Jamie Zeitzer, bashkëdrejtor i “Center for Sleep and Circadian Sciences”në Stanford, shpjegon: se “mënyra më e mirë për ta parë është sikur ora qendrore është një dirigjent orkestre, ndërsa secili organ i trupit është një instrument tjetër”.

Roli i dritës dhe ritmit biologjik

Drita e mëngjesit ndihmon të rregullohet ritmi biologjik. Nga mbrëmja, hormoni melatonin rritet dhe shkakton përgjumje. Shumë dritë në mbrëmje, qoftë nga aktiviteti jashtë apo ekranet artificiale, vonon këtë proces dhe çon në çrregullim të ciklit. Ky ritëm ndikon jo vetëm tek gjumi, por edhe tek presioni i gjakut, rrahjet e zemrës, hormonet e stresit dhe metabolizmi.

Si ndikojnë ndryshimet e kohës tek gjumi?

Edhe një ndryshim njëorësh mund të çrregullojë orarin e gjumit, pasi puna dhe shkolla nuk ndryshojnë. Ndryshimi i pranverës shpesh është më i vështirë, me mëngjese më të errëta dhe mbrëmje më të gjata, duke vështirësuar fjetjen në orarin e zakonshëm.

Studimet tregojnë rritje të aksidenteve rrugore dhe sulmeve në zemër në ditët e para pas ndryshimit.

Disa persona me “depresion sezonale” mund të përjetojnë vështirësi për shkak të ditëve më të shkurtra. Por shumica e njerëzve përshtaten lehtë, sikurse pas një udhëtimi me ndryshim kohe (jet lag).

Rreth 1 në 3 të rritur flenë më pak se 7 orë natën, dhe mbi gjysma e adoleshentëve nuk flenë 8 orë të rekomanduara. Mungesa kronike e gjumit lidhet me sëmundje zemre, rënie të kujtesës, obezitet dhe probleme të tjera shëndetësore.

Si të përgatitemi për ndryshimin e kohës

Ndryshimi gradual i orarit të gjumit, edhe 15 minuta për natë në ditët para ndryshimit, ndihmon trupin të përshtatet. Por drita e diellit në mëngjes mbetet thelbësore për të rivendosur ritmin biologjik. Nëse nuk mund të shkoni jashtë, uluni pranë dritareve. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›