Çifti në Indonezi ndëshkohet publikisht me 100 kamzhikë për marrëdhënie seksuale jashtë martesës

Një burrë dhe një grua janë dënuar me nga 100 goditje me kamxhik nga një gjykatë islame në provincën konservatore Aceh, në perëndim të Indonezi, pasi u shpallën fajtorë për marrëdhënie seksuale jashtë martese.
Ndëshkimi u ekzekutua publikisht në një park në kryeqytetin provincial Banda Aceh, përpara dhjetëra qytetarëve. Të dy personat morën nga 100 goditje me kamxhik në shpinë, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.
Në të njëjtën ditë, edhe katër persona të tjerë u ndëshkuan publikisht, duke marrë nga 8 deri në 29 goditje për shkelje të ndryshme, si kontakt fizik me persona të seksit të kundërt ose konsum alkooli. Një grua, e dënuar me 27 goditje, humbi ndjenjat gjatë ekzekutimit të dënimit dhe iu dha ndihma e parë.
Zyrtarët lokalë theksuan se zbatimi i ligjit islam, i njohur si Sheriat, është i detyrueshëm në këtë provincë. “Sa herë që dikush shkel ligjin, duhet të përballet me ndëshkime si kamxhikimi”, deklaroi një përfaqësues i prokurorisë lokale.
Provinca Aceh është e vetmja në Indonezi që zbaton ligjin islam në mënyrë të plotë. Marrëdhëniet jashtë martese janë të ndaluara, ndërsa ndëshkime të tilla publike janë pjesë e sistemit ligjor lokal.
Ndërkohë, në nivel kombëtar, Indonezia ka miratuar në vitin 2022 një kod të ri penal që ndalon marrëdhëniet seksuale jashtë martese, i cili hyri në fuqi në të gjithë vendin në janar të vitit 2026.
Raste të ngjashme janë raportuar edhe më parë në Aceh. Në janar të këtij viti, një çift tjetër i pamartuar u ndëshkua me 140 goditje me kamxhik, një nga dënimet më të ashpra që nga vendosja e ligjit islam në këtë provincë në vitin 2001.
/vizionplus.tv