E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet e reja të energjisë/ Makinat elektrike më të lira në kosto

Nga 1 nëntori çmimi i energjisë elektrike për pikat e karikimit të mjeteve elektrike do të shtrenjtohet, thuajse dyfish.

Sot çmimi energjisë që OSHEE i ofron pikave të karikimit është 14 lekë për kw/h. Nga 1 nëntori ai rritet me 22 dhe 25 lekë për kw/h

Por kush preket nga kjo vendimmarrje? Enea Karakaçi, administrator i “OSHEE Grup”, sqaroi në emisioni “E-ZONE” kategorinë që preket nga ky vendim.

“Dua të sqarojë që nga kjo rritje çmimi nuk preken abonentët familjarë apo bizneset që kanë pika karikimi të ngadaltë apo siç njihen “slow charge”. Nëse je familjarë që ke në garazhin tënd një pikë karikimi të avashtë çmimi mbetet 9.5 lekë si çdo familjar. Rritja vjen vetëm për pikat e karikimit “fast charge” apo karikim i shpejtë”, sqaroi Karakaçi.

Vendimi i Entit Rregullator erdhi si propozim i kompanisë OSHEE, e cila argumenton se kjo pjesë e tregut kishte dy problematika.

“Rritja e çmimit erdhi  për shkak të disa kostove shtesë dhe rritjes së numrit të mjeteve elektrike. Makinat elektrike janë shumë të mira kanë avantazhe, por kanë edhe problematika në sistemin e energjisë. Një pikë karikimi për mjetet elektrike zë në kabinat tona kapacitetin e furnizimit të 30 familjeve. Kjo është kosto që po rritet për shkak dhe të rritjes së numrit të makinave. Nga ana tjetër nuk parashikohet dot dita sa makina kanë nevojë për karikim dhe kur. Kjo krijon disbalanca mes kërkesës dhe ofertës”, tha Karakaçi në “E-ZONE”.

Të dhënat flasin se në total janë mbi 7 mijë mjete tërësisht elektrike dhe thuajse po i njëjti numër është edhe për mjetet hibride.

Sipas të dhënave edhe me këtë rritje të çmimit të energjisë, sërish mjetet elektrike mbeten më të lira në operim se ato me karburant.

Karakaçi thotë se çmimi i ri i energjisë mbetet më i lirë në rajon dhe më gjerë. Nisur nga kjo situatë OSHEE apelon që çdo biznes që ka në aktivitetin e tij një pikë karikimi të shpejtë, duhet të bëjë një ndarje të kontratës në mënyrë që çmimi të jetë i diferencuar nga karikimi i mjetit dhe nga aktiviteti i biznesit.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›