Çmimet në tregun e fruta-perimeve, me rritjen e naftës konsumatorët po shpenzojnë më shumë në blerje

Rritja e çmimeve të naftës po pason në rritje të çmimeve edhe të produkteve në tregun e fruta-perimeve.
Në qytetin e Korçës, domatja dhe kastravecat janë shtrenjtuar deri në 20%, duke ulur ndjeshëm blerjet e qytetarëve. Produktet bazë të tryezës, si domatja e importuar nga Greqia, kanë arritur çmimin nga 300 deri në 400 lekë për kilogram.
Shumë familje, sidomos pensionistët, po ndiejnë koston e shtrenjtimit të çmimeve duke reduktuar blerjet. Kjo situatë haset edhe në tregun e Gjirokastrës, pavarësisht se jemi në sezon pranvere.
“Rritjen e çmimeve ne e ndiejmë shumë. Jemi konsumatorë” – u shpreh një prej blerësve.
“Çmimet janë në kulm. Ne pensionistët nuk blejmë dot me këto çmime. Me çfarë ta blejmë domaten që është me 400 lekë të rinj?”
Tregtarët thonë se rritja lidhet me shtrenjtimin e furnizimit dhe transportit, që krijon një zinxhir efektesh mbi konsumatorin.
“Domatet kanë qenë me 200-250 lekë, tani kanë shkuar 350-400 lekë.”
“Nuk ka fuqi blerëse” – u shpreh për RTSH një prej shitëseve.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrjen nga autoritetet për të kryer kontrolle të vazhdueshme, në mënyrë që të frenohet rritja e çmimeve abuzive.
/rtsh.al/