Çmimi i karburantit, a po përsëritet skenari i vitit 2022?

Çmimet e karburanteve në vend janë rritur sërish.
Në disa pika, një litër naftë dhe benzinë po shitet për 198 lekë. Me 64 lekë është rritur çmimi i gazit.
Kjo është rritja e katërt e çmimit të karburanteve në vend.
Në vetëm 48 orë nga operacioni amerikano-izraelit në Iran, në Shqipëri nafta dhe benzina kërcyen në 182 dhe 183 lekë për litër.
Karburantet u rritën sërish më 6 dhe 8 mars, për të kulmuar të martën, më 10 mars.
Të martën, në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, është zhvilluar një takim i dytë me përfaqësues nga tregu i karburanteve në vend.
Ndërkohë, Shoqata e Hidrokarbureve pretendon se çmimi i naftës caktohet sipas vlerave të ditës në bursë.
Sipas tyre, importuesit e blejnë naftën në bursë, e sjellin dhe e mbajnë në magazinat e tyre doganore pa e zhdoganuar. Ditën që e hedhin në treg, i caktojnë çmimin sipas vlerës që ka bursa. Kjo praktikë shtrenjton automatikisht edhe çmimin e naftës me pakicë për konsumatorët.
Çfarë ndodhi në vitin 2022?
Çmimet e naftës kanë tejkaluar shifrën prej 100 dollarësh për fuçi për herë të parë që nga viti 2022.
Atëherë një prej shkaqeve ishte edhe lufta Rusi-Ukrainë.
Rusia është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë. Ndërsa shtetet perëndimore vendosën sanksione ndaj naftës ruse, duke ulur furnizimin në treg.
Si pasojë, çmimi i naftës u rrit shumë dhe në mars 2022 arriti rreth 130-139 dollarë për fuçi.
Analistët e tregut të energjisë thonë se shqetësimet për ndërprerjet e mundshme të furnizimit me naftë nga Gjiri Arabik, një nga korridoret më kritike të energjisë në botë, kanë luajtur rol kyç në shtyrjen e çmimeve në nivele më të larta.
Tregjet janë alarmuar nga mundësia e ndërprerjeve në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës zakonisht transportohen afërsisht 15 milionë fuçi bruto ose rreth 20 për qind e naftës botërore, duke shtuar presion të mëtejshëm në rritje mbi çmimet.