Çmimi i naftës bie me mbi 8%, Brent zbret në 94.8 dollarë për fuçi, shpresat për marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit qetësojnë tregjet

Çmimet ndërkombëtare të naftës kanë pësuar një rënie të ndjeshme të mërkurën, pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA dhe sinjaleve të reja për një zgjidhje diplomatike të konfliktit me Iranin.
Nafta Brent, referencë kryesore për tregjet evropiane, ra me rreth 8.5%, duke zbritur në 94.8 dollarë për fuçi. Ndërsa nafta bruto amerikane WTI humbi më shumë se 8%, duke arritur në rreth 88.4 dollarë për fuçi. Kjo ishte seanca e tretë radhazi e rënies së çmimeve, ndërsa Brent preku nivelin më të ulët të një muaji.
Një nga faktorët kryesorë që ndikoi në tregje janë pritshmëritë për uljen e tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Irani dëshiron një marrëveshje, ndërsa në një intervistë për “Financial Times” tha se SHBA-të nuk po planifikojnë bombardime të reja në shkallë të gjerë në të ardhmen e afërt. Ndërkohë, Katari vijon përpjekjet ndërmjetësuese mes dy vendeve.
Në rënien e çmimeve ka ndikuar edhe rikthimi gradual i eksporteve të naftës nga Gjiri Persik, duke shtuar furnizimin në tregjet ndërkombëtare.
Ky zhvillim shihet si një sinjal pozitiv për ekonominë evropiane, pasi ulja e çmimit të naftës mund të lehtësojë kostot e energjisë dhe presionet inflacioniste. Megjithatë, rënia në bursat ndërkombëtare nuk përkthehet automatikisht në ulje të menjëhershme të çmimeve në karburantet e konsumatorëve, pasi ndikim kanë edhe kostot e përpunimit, kursi euro-dollar dhe taksat.
Pavarësisht optimizmit, tregjet mbeten të ndjeshme ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Çdo përshkallëzim i ri ushtarak apo dështim i negociatave mund të rikthejë presionin për rritjen e çmimeve të naftës.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb