Conference League, Dinamo City fiton me përmbysje në transfertën e Andorrës

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ “Dinamo City” ka fituar me rezultatin 1-2 në transfertë takimin e parë në Conference League përballë ekipit nga Andorra, “FT Atletik D’Eskaldes”.
Vendasit kaluan të parët në avantazh me anë të Vieira në minutën e 43-të. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1 me 0, teksa pjesa e dytë i lojës foli për skuadrën shqiptare, që arriti të shënonte dy herë, me Zabërgjanë dhe Qardakun.
Sulmuesi shqiptar i Kosovës, përfitoi nga një gabim i portierit në minutën e 65-të, ndërkohë që shkodrani Qardaku, realizoi në prekjen e parë të topit, vetëm disa sekoda pas aktivizimit.
Falë këtij triumfi Dinamo ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit, teksa gjithçka pritet të formalizohet në duelin e kthimit.
FT ALTETIK D’ESKALDES – DINAMO CITY 1-2
Vieira 43′ / Zabërgja 65′, Qardaku 86′
Po sot luajnë edhe dy ekipet e tjera shqiptare, Egnatia dhe Vllaznia.
Egnatia, skuadra kampione e Shqipërisë që e filloi nga raundet e para eliminatore të Ligës së Kampioneve, do të luajë sot në transfertë ndeshjen e parë në Conference League përballë “Dinamos së Minskut” të Bjellorusisë.
Ndërkohë Vllaznia do të presë islandezët e “Vikingurit” këtë herë në “Loro Boriçi”, pas mrekullisë së bërë në ndeshjen e dytë të raundit të parë eliminator të Conference League.
Conference League, FT Atletik D'Eskaldes - Dinamo City/ Fotot: Agim Dobi 1 nga 9