Covey: Thaçi bënte thirrje për të shmangur dhunën ndaj pakicave

PRISHTINË, 30 shtator /ATSH/ Jock Covey është dëshmitari i katërt i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, në rastin ku ai po gjykohet bashkë me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin. Në ditën e parë të dëshmisë së tij, ai tha para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë se Thaçi e kishte dënuar dhunën ndaj pakicave etnike, në vitin 1999.
Avokati kryesor i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq derisa prezantoi një dokument të OSBE-së, të qershorit të ’99-ës, tha se aty thuhej se “udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës, Hashim Thaçi, kishte arritur ta zbuste një konfrontim të mundshëm të dhunshëm kur ndaloi qindra persona të kalonin në pjesën që kontrollohej nga serbët në veri [të Mitrovicës]”.
Sipas dokumentit, Thaçi, i cili ishte i shoqëruar nga përfaqësuesi i OKB-së, Bernard Kushner, ka thënë se problemet do të zgjidheshin në mënyrë paqësore.
Dëshmitari pohoi se kjo përputhej me atë cka ai ka dëgjuar, ndërsa theksoi se thirrje të tilla ka pasur edhe para se ata të shkonin në Kosovë.
“Gjërat nuk kanë ndryshuar vetëm pse kemi arritur ne aty, shumë gjëra ne i kemi mësuar me kalimin e kohës. Shpesh kemi mësuar shumë gjëra vite më vonë, kështu që kur them tani kjo gjë është në përputhje, nuk kam mënyrë për të thënë se kam ditur në momentin kur kemi arritur, dhe në fakt më impresionon fakti që atë që ka thënë zotëri Thaçi vinte nga koha e mëparshme. Kështu që ne nuk mund të themi që është roli ynë që i ka thënë këto gjëra, është një proces i cili në fakt kishte filluar përpara mbërritjes sonë”, tha dëshmitari derisa avokati e pyeti për deklaratën e Thaçit për të shmangur sulmet ndaj pakicave.
Dëshmitari i katërt i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, Jock Covey duke folur për UÇK-në tha sot para Gjykatës Speciale në Hagë se nuk ka pasur komandë qendrore.
Në ditën e parë të dëshmisë së tij në gjykatoren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, në Gjykatën e Hagës ai tha se “UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa ushtri”.
“Ne kuptonim që UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa një ushtri ku secili individ në zona, apo komandant në terren kishte autonomi të gjerë, qoftë kjo në realitet apo imagjinatën e tyre, por ata kishin këtë autonomi, ata mendonin që mund të bënin atë që vendosnin të bënin në zonën e tyre, që ishin të pavarur”, tha ai.
Ai foli për një takim i cili sipas tij ishte mbajtur për t’i bindur komandantët e zonave për marrëveshjen për çarmatim.
Aty sipas tij, është vërejtur se marrëdhënia e Thaçit me komandantët e zonave ishte “e ndërlikuar”.
“Zotëri Thaçi nuk kishte marrëdhënie të rëndësishme me këtë trup të komandantëve në terren dhe kishte shumë pak gjasa që ata të kërkonin udhëzimet e tij, aq më pak urdhrat e tij, apo që të raportonin aktivitetet e tij te ai”, tha Covey.
Jock Covey është dëshmitari i radhës në Hagë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Amerikani e ka nisur dëshminë para Dhomave të Specializuara sot, më 30 tetor.
Ai ka shërbyer në Kosovë si zëvendës i përfaqësuesit special të sekretarit të OKB-së, Bernard Kushner.
Dëshmia e tij vjen pasi në gjykatore u dëgjuan dëshmia e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ajo e ish-këshilltarit ligjor të ekipit të Kosovës në Rambuje, si dhe dëshmia e ish-diplomatit britanik John Stewart Duncan.
Vijon…
/Kosovapress/