“Cyber Balkans”, Tafa: Mjedis i qëndrueshëm kibernetik në Ballkanin Perëndimor

Tiranë, 12 qershor /ATSH/ Në kuadër të projektit “Cyber Balkans”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, drejtuesi i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa dhe një përfaqësi e këtij institucioni mirëpritën ekipe të CIRT nga Ballkani Perëndimor për një vizitë studimore dhe trajnim intensiv në Cyber Lab dhe Cyber Range.
Sipas njoftimit të AKSK-së, ky aktivitet dyditor pati si synim forcimin e aftësive teknike për reagimin ndaj incidenteve kibernetike, përmes simulimeve praktike dhe shkëmbimit të përvojave, duke promovuar një qasje rajonale të përbashkët ndaj sfidave të sigurisë digjitale.
Igli Tafa, drejtuesi i AKSK-së, theksoi se siguria kibernetike duhet të jetë “e ndërtuar që në fazën e dizajnit” dhe jo e shtuar më pas në sistemet digjitale. Ai ndau vizionin për ndërtimin e një mjedisi të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor, ku ekspertiza dhe kapacitetet të zhvillohen në mënyrë të integruar, që nga arsimi bazë e deri në institucionet kritike.
Nga ana tjetër, Davide Casale, përfaqësues i Delegacionit të BE në Shqipëri, vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me AKSK dhe e-Governance Academy, duke e cilësuar si një model trilateral suksesi për ndërtimin e qëndrueshmërisë kibernetike rajonale. “Siguria kibernetike është tashmë prioritet për BE-në, jo vetëm brenda kufijve të saj, por edhe në vendet që aspirojnë anëtarësimin”, tha Casale.
Njëherësh, edhe Milan Sekuloski, drejtues i projektit “Cyber Balkans”, nënvizoi rëndësinë e rrjeteve të ekspertëve dhe ndarjes së praktikave të mira në ndërtimin e kapaciteteve afatgjata.
“AKSK jo vetëm që ndan përvojat e saj, por i shndërron ato në mundësi trajnimi për të gjithë rajonin”, u shpreh ai.
Projekti “Cyber Balkans” zbatohet nga e-Governance Academy (Estoni), në partneritet me CILC (Holandë), NÚKIB (Çeki), si dhe me mbështetjen e ekspertëve nga CERT-et kombëtare të Estonisë, Letonisë dhe Sllovenisë
Drejtuesi i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa në një takim me ekipe të C... 1 nga 13/e.i/