DAMASK – Disa të vrarë dhe dhjetëra të plagosur gjatë përleshjeve në Siri

DAMASK, 28 dhjetor /ATSH-DPA/ – Dhuna shpërtheu sot midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të qeverisë siriane, duke lënë disa të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, sipas aktivistëve dhe mediave shtetërore.
Dy protestues kundër qeverisë u vranë në provincën bregdetare Latakia, pasi besnikët e qeverisë dhe forcat e sigurisë sulmuan demonstruesit, njoftoi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Protestat shpërthyen në disa provinca, përfshirë Latakian, e cila kryesisht banohet nga pakica fetare alavite, sipas grupit britanik që monitoron ngjarjet, duke cituar rrjetin e tij të aktivistëve brenda Sirisë.
Demonstrata të ngjashme u raportuan edhe në Tartus, Homs dhe Hama. Dhjetëra protestues antiqeveritarë u plagosën pasi u sulmuan me armë zjarri dhe thika, shtoi grupi.
Sipas aghjencisë shtetërore SANA, autoritetet siriane fajësuan mbështetësit e ish-udhëheqësit të rrëzuar Bashar al-Assad për sulmet ndaj forcave të sigurisë dhe civilëve gjatë trazirave në Latakia, duke shkaktuar tre të vdekur.
Të paktën 60 të tjerë u plagosën në Latakia, sipas raportimeve të autoriteteve shëndetësore. Ministria e Brendshme tha se një anëtar i forcave të sigurisë u vra dhe të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve.
Protestat masive u nxitën nga thirrja e udhëheqësit të njohur alavite, Ghazal Ghazal, për të kërkuar të drejtën për vetëvendosje. Që nga rrëzimi i al-Assad vitin e kaluar, Siria është përballur me dhunë sektariane, pavarësisht premtimeve të presidentit të përkohshëm Ahmed al-Sharaa për të mbrojtur pakicat. /Ad.Ab./