DAMASK – Numri i të vdekurve nga dhuna në Sweida rritet në mbi 500

DAMASK, 17 korrik /ATSH-DPA/ – Numri i të vdekurve nga dhuna në provincën Sweida, në Sirinë jugore, vazhdon të rritet: Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, një monitorues lufte me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, ka raportuar të paktën 516 vdekje që nga shpërthimi i luftimeve më 13 korrik.
Observatori dokumentoi vrasjen e 83 civilëve druzë në rrugët e Sweida-s dhe fshatrave përreth, për të cilat i mbajti përgjegjëse forcat qeveritare siriane.
“Kishte trupa kudo”, tha një vullnetar që punonte me mbrojtjen civile të qytetit.
Në një mizori tjetër të raportuar, tre anëtarë të komunitetit beduin – një grua, një fëmijë dhe një burrë – u ekzekutuan nga fraksione të armatosura druze në qytetin e Sweida-s, raportoi observatori, duke cituar prova video.
Viktimat përfshinin afërsisht 150 druzë dhe 261 ushtarë qeveritarë, shtoi observatori.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut mbështetet në një rrjet burimesh në terren dhe në përgjithësi konsiderohet i besueshëm, megjithëse të dhënat e tij nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. /os/