DPSHTRR: 7 punonjës në Fier ishin me masë disiplinore nga kontrolli i brendshëm

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) reagoi sot në lidhje me hetimet që po zhvillohen nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ndaj disa punonjësve të Degës së Kontrollit Teknik të Mjeteve në Fier.
Në një deklaratë publike, DPSHTRR shprehu mbështetjen e plotë për organet e drejtësisë dhe sqaroi se që në vitin 2023 ka ndërmarrë një kontroll të brendshëm administrativ, i cili çoi në masa disiplinore ndaj 7 punonjësve të përfshirë.
Sipas DPSHTRR, masat e marra përfshijnë një ndërprerje të marrëdhënies së punës dhe 6 masa të tjera si pezullime, ulje në detyrë dhe përjashtime nga sektori i kontrollit teknik të mjeteve.
Këto masa u ndërmorën në shkurt 2024, pas përfundimit të verifikimeve të nisura që në dhjetor 2023, pas indicieve të para për shkelje të etikës së shërbimit publik dhe procedurave administrative.
“Ky proces është dëshmi e angazhimit serioz të DPSHTRR-së për të parandaluar dhe adresuar çdo shkelje që mund të dëmtojë cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve ndaj qytetarëve”, thuhet në deklaratën e DPSHTRR-së.
DPSHTRR thekson gjithashtu se ka forcuar mekanizmat e kontrollit të brendshëm, ka avancuar procesin e digjitalizimit të shërbimeve dhe ka investuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale të punonjësve, me qëllim rritjen e transparencës dhe integritetit institucional.
DPSHTRR konfirmon vendosmërinë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe fton qytetarët të raportojnë çdo shkelje apo parregullsi përmes platformës zyrtare të DPSHTRR-së. e.xh/j.p/