E Diel, 1 Nëntor 2026

DPT: Mbi 8 mijë subjekte në Airbnb, 3,8 miliardë lekë rezervime në 2024

TIRANË, 24 mars/ATSH/ Aktiviteti i dhënies me qira të akomodimeve përmes platformës Airbnb në Shqipëri shënoi rritje të ndjeshme gjatë vitit 2024, duke reflektuar zgjerimin e këtij segmenti të ekonomisë së turizmit.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT), gjatë periudhës janar-dhjetor 2024, mbi 8472 individë dhe subjekte kanë realizuar shitje të akomodimeve përmes kësaj platforme në vend.

Vlera totale e rezervimeve për këtë periudhë arriti mbi 3,8 miliardë lekë, ndërsa komisionet e përfituara nga platforma janë regjistruar në nivelin 167,5 milionë lekë.

Administrata Tatimore bën të ditur se disponon të dhëna të detajuara mbi rezervimet dhe të ardhurat e realizuara nga përdorimi i platformës Airbnb.

Në këtë kuadër, ajo u bën thirrje të gjithë individëve dhe subjekteve që kanë përfituar të ardhura nga dhënia e akomodimit, t’i deklarojnë ato në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA 2025), në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.

DPT thekson se deklarimi korrekt i të ardhurave shmang kontrollet dhe penalitetet e mundshme, duke nxitur gjithashtu formalizimin e aktivitetit në këtë sektor.

“Administrata Tatimore disponon të dhëna mbi rezervimet dhe të ardhurat e realizuara përmes platformës Airbnb, ndaj fton individët dhe subjektet që kanë siguruar të ardhura nga dhënia e akomodimit përmes kësaj platforme t’i deklarojnë ato në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA 2025), në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi, për të shmangur kontrollet dhe penalitetet e mundshme”, deklaroi DPT.

Afati i fundit për dorëzimin e deklaratës DIVA është 31 mars 2026.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›