E Diel, 1 Nëntor 2026

DVP Shkodër promovon Akademinë e Sigurisë tek maturantët e “Kolë Idromeno”

Ndihmësspecialistët për Edukimin në Shkolla pranë Drejtorisë Vendore të Policisë (DVP) Shkodër kanë zhvilluar një takim informues dhe orientues me maturantët e gjimnazit “Kolë Idromeno”.

Ky aktivitet, i realizuar në bashkëpunim të ngushtë me oficerët e sigurisë dhe stafin pedagogjik të shkollës, kishte si qëllim kryesor promovimin e sistemit arsimor policor dhe afrimin e të rinjve me radhët e Policisë së Shtetit.

Gjatë këtij sesioni informues, përfaqësuesit e policisë i njohën të rinjtë me të gjithë materialin promovues të Akademisë së Sigurisë, duke theksuar mundësitë reale që ky institucion ofron për zhvillimin e një karriere të sigurt.

Pikat kryesore të prezantimit përfshinë misionin dhe vizionin e Akademisë së Sigurisë, si dhe vlerat mbi të cilat mbështetet ky institucion; programet e studimit dhe organizimin strukturor të kurrikulave; ecurinë në karrierë dhe avantazhet e të qenit pjesë e strukturave policore; infrastrukturën moderne të akademisë dhe hapat konkretë për mënyrën e aplikimit.

Sipas njoftimit për shtyp, nisma e DVP Shkodër u prit me interes të veçantë nga maturantët. Gjatë takimit, ata patën mundësinë të bashkëbisedojnë me specialistët dhe shfaqën dëshirën për të vijuar studimet në programet e Akademisë së Sigurisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›