E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dalin dokumentet e reja nga dosja Epstein, disa prej tyre pornografike

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve ka publikuar këtë të premte një pjesë të re të dokumenteve të lidhura me hetimin e Jeffrey Epstein, duke përfshirë mbi 3 milionë faqe, si dhe 2 mijë video dhe rreth 180 mijë imazhe. Publikimi shënon një hap të madh në përmbushjen e afatit të vendosur nga Kongresi, i cili kërkon që të gjitha dosjet të bëhen publike deri më 19 dhjetor 2025.

CNN shkruan se dokumentet e reja hapen me një faqe verifikimi për moshën, ku përdoruesit pyeten nëse janë mbi 18 vjeç.

Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, tha se materialet e publikuara përfshijnë sasi të mëdha pornografie komerciale dhe imazhe të sekuestruara nga pajisjet e Epstein, por jo domosdoshmërisht të krijuara prej tij ose nga persona pranë tij.

“Ato përfshijnë sasi të mëdha pornografie komerciale dhe imazhe të sekuestruara nga pajisjet e Epstein, por që nuk i ka bërë ai, ose që nuk i ka bërë dikush pranë tij,” tha Blanche.

Çfarë nuk është publikuar

Blanche sqaroi se disa kategori dokumentesh janë mbajtur të fshehta, sipas ligjit:

-Informacion personalisht i identifikueshëm i viktimave.

-Dosje personale dhe mjekësore të viktimave, që do të përbënin shkelje të privatësisë.

-Çdo material që përmban abuzim seksual ndaj fëmijëve (CSAM) ose pornografi me të mitur.

-Çdo gjë që mund të rrezikojë një hetim federal aktiv.

-Imazhe që tregojnë vdekje, dhunë fizike ose lëndime.

-Dokumente të mbrojtura nga privilegje ligjore, si privilegji i procesit vendimmarrës, produkti i punës juridike dhe privilegji avokat-klient.

Blanche shtoi se, ndonëse ligji lejon mbajtjen e fshehtë të dokumenteve për arsye sigurie kombëtare ose politike të jashtme, asnjë dosje nuk është mbajtur e fshehtë për këto arsye.

Departamenti i Drejtësisë ka pranuar më herët se deri tani ka publikuar më pak se 1% të dosjeve të lidhura me Epstein. Publikimi i sotëm është një hap i madh drejt transparencës, por pritet që procesi të zgjasë edhe muaj të tërë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›