Dashnor Sula merr drejtimin e Inspektoratit Qendror, ministrja Ibrahimaj: Moment kyç për reformën

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka prezantuar zyrtarisht të hënën drejtuesin e ri të Inspektoratit Qendror. Në krye të këtij institucioni të rëndësishëm është emëruar Dashnor Sula.
Ky ndryshim në drejtim vjen në një periudhë që konsiderohet vendimtare për reformimin e sistemit të inspektimeve në vend. Gjatë ceremonisë së prezantimit, Ministrja Ibrahimaj vuri theksin te rëndësia e përvojës dhe integritetit në këtë detyrë.
“Me përvojën e tij administrative dhe angazhimin për integritet e drejtësi, Sula merr drejtimin e Inspektoratit Qendror në një moment kyç për përmbylljen e reformës,” deklaroi Ibrahimaj.
Ajo gjithashtu nënvizoi prioritetet e reja të institucionit nën drejtimin e Sulës, duke kërkuar një qasje të re ndaj sipërmarrjes.
“Më shumë profesionalizëm, transparencë dhe partneritet me biznesin,” ishte mesazhi i ministres, duke sinjalizuar një frymë bashkëpunimi dhe jo vetëm ndëshkimi në marrëdhënie me subjektet private.
Sula: Respekt për taksapaguesit, luftë pa kompromis abuzuesve
Gjatë marrjes së detyrës si Kryeinspektor i Përgjithshëm, Dashnor Sula ka shpalosur prioritetet e tij, duke vënë theksin te bashkëpunimi institucional dhe qasja e re ndaj biznesit.
Sula e cilësoi emërimin si një përgjegjësi kombëtare dhe jo si favor politik, duke konfirmuar gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me Ministren Ibrahimaj dhe Kryeministrin Rama.
“Pavarësisht se me Kryeministrin Rama kemi qenë përballë njëri-tjetrit – sepse kështu funksionon demokracia – kurrë nuk e kemi parë njëri-tjetrin si armiq, por si mundësi për të çuar Shqipërinë përpara,” u shpreh Sula.
Ai e quajti detyrën e re “një dorashkë të hedhur nga Kryeministri”, të cilën e pranon si sfidë profesionale pas 35 vitesh karrierë në drejtësi dhe politikë.
Lidhur me reformat, Sula garantoi se do të vijojë konsolidimin e nisur nga paraardhësi i tij, të cilin e falënderoi për punën, duke u përshtatur me direktivat e BE-së dhe riorganizimin e inspektoriateve.
“Nuk është privilegj, por një përgjegjësi shumë e madhe. Do të jem në dispozicion 24 orë për çdo problem,” garantoi Sula para stafit.
/rtsh.al/