E Diel, 1 Nëntor 2026

Debate në Konferencën e Kryetarëve, mazhoranca kërkon shtyrjen e seancës së 12 qershorit, Bardhi-Spiropalit: Kuvendi nuk është plaçkë e juaj

Janë zbardhur debatet në Konferencën e Kryetarëve, ku mazhoranca ka kërkuar që të mos zhvillohet seanca plenare e parashikuar për datën 12 qershor. Kërkesa është kundërshtuar ashpër nga opozita, me përfaqësuesin e saj Gazment Bardhi që ka pasur një përplasje të drejtpërdrejtë me Spiropalin.

Në diskutimin e tij, Bardhi është shprehur kundër shtyrjes së seancës duke ironizuar:

“Ti, rrugë të mbarë për atje ku do të jesh në datën 12. I ke dhënë zgjidhje problemeve në Shqipëri, shko zgjidh dhe konfliktin në Ukrainë,” – iu drejtua ai Spiropalit.

Ai shtoi se nuk ka asnjë arsye për të shtyrë seancën e Kuvendit nga 12 në 16 qershor, duke theksuar se data është miratuar më parë nga Konferenca e Kryetarëve.

“Kuvendi nuk është pronë dhe plaçkë e juaja, ashtu siç keni tentuar ta trajtoni kohët e fundit,” – u shpreh Bardhi me tone të forta.

Debati vjen në një klimë të tensionuar politike, teksa përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës për kalendarin dhe agjendën e Kuvendit po intensifikohen. Deri tani nuk është marrë një vendim përfundimtar për shtyrjen e seancës.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›