E Diel, 1 Nëntor 2026

Debate në Kuvend/ Opozita nuk e lëshon foltoren, shtyhet në orën 18:30 votimi për amnistinë, duhen 84 vota

Kuvendi pritet të rimblidhet përsëri në orën 18:30 për të votuar rendin e ditës.

Pak më herët, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, pasi ndërpreu seancën si pasojë e bllokimit të foltores nga deputetët e PD-së, tha se votimi do të ndodhte pas 5 minutash.

Kalimi direkt në votim u kërkua nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, pasi nuk po gjendej gjuha e përbashkët për të vijuar seanca në mënyrë normale.

Mësohet se pika e rendit të ditës për amnistinë, e cila kërkon 84 vota, do të shqyrtohet dhe votohet në orën 18:30.

“Pas një tentative si asnjëherë më parë, në pamundësi të zhvillimit të saj, propozoj ndërprerjen e diskutimeve, për bllokimin e Kuvendit dhe ligjeve. Kjo është turp i madh që bie mbi ju. Jemi për 2 ligje që janë për axhendën evropiane, për të dëgjuar ministrin e Jashtëm për integrimin e Shqipërisë në BE.

Jemi në kushtet që propozoj ndërprerjen e diskutimeve, interpelancat që quhen të ekzekutuara dhe të kalojmë direkt në votim, propozoj që kjo të hidhet në votim.Ju ftova krerët e grupeve parlamentare, por ata të opozitës nuk erdhën. Nuk ka mënyrë tjetër për ta zgjidhur këtë bllokim, nuk gjej asnjë zgjidhje, ndaj zoti Balla propozon ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin direkt në votim”, tha ai mes të tjerash.”, tha Balla.

“Zoti kryetar i Kuvendit, për shkak se sot kemi votime me numër të cilësuar dhe për shkak të deputetëve që kërkojnë kohë për të ardhur, propozoj që votimi të rifillojë në porën 18:30”, tha Balla.

“Seanca ka votuar për ndërprerjen e diskutimeve pas mungesës së normalitetit në sallë. Tani vetëm po shtyhet sipas propozimit të zotit Balla dhe po kalon në votim ky propozim”, tha Peleshi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›