Debati për Zvërnecin, Vengu: Protesta e denjë, telat një feudalizëm moral. Banorët e duan zhvillimin!

Në një reagim mbi debatin për zhvillimin e Zvërnecit, deputeti i Vlorës, Pirro Vengu, e cilësoi protestën e banorëve si legjitime dhe të denjë për t’u dëgjuar.
Ai theksoi se vetë fakti që po zhvillohet një debat i hapur mbi të ardhmen e zonës është tregues i një demokracie më të shëndetshme dhe më të pjekur.
Sipas Vengut, Shqipëria ka nevojë për diskutime të tilla mbi raportin mes zhvillimit, mjedisit dhe identitetit, si dhe mbi sfidat që sjell konkurrenca globale.
“Çështja e vërtetë është se kemi të bëjmë me një protestë të denjë. Dikur do ta quanim europiane, sot mund ta quajmë një normalitet të ri në vendin tonë. Debati për mënyrën si zhvillohemi, si mbrojmë identitetin dhe ekosistemin, apo si sigurojmë zhvillim afatgjatë, tregon një farë shëndoshjeje të demokracisë sonë”, u shpreh ai.
Deputeti vuri në dukje se diskutimi publik është reduktuar padrejtësisht vetëm te një resort, ndërkohë që çështja reale lidhet me modelin e zhvillimit të një aseti kombëtar dhe me të ardhmen e banorëve të zonës.
Ai theksoi se banorët duan zhvillim të ligjshëm, por mbi të gjitha duan begati për fëmijët e tyre.
Vengu paralajmëroi se paprekshmëria absolute e një territori mund të kthehet në degradim, duke sjellë në vëmendje problematikat e lagunës dhe dëmet që i shkaktojnë aluvionet e kanalet e kullimit.
Ai kritikoi edhe rrethimin me tela të zonës, duke e cilësuar si një akt të pakuptimtë dhe simbolikisht të gabuar, një “feudalizëm moral i pashpjegueshëm”.
Në përfundim, Vengu tha se rasti i Zvërnecit duhet të shërbejë si një mundësi për të diskutuar me maturi se çfarë modeli zhvillimi kërkon Shqipëria dhe si mund të gjendet ekuilibri mes mbrojtjes së mjedisit, ligjshmërisë dhe mirëqenies së komuniteteve lokale.
/rtsh.al/