E Martë, 3 Nëntor 2026

“Defender Europe 25”, Kosova dëshmon gatishmërinë për NATO-n

PRISHTINË, 3 qershor /ATSH/ Në Poligonin e Stërvitjes në Babaj të Bokës, Gjakovë sot është zhvilluar Dita e Vizitorëve të Shquar (DV Day), si pjesë e ushtrimit ndërkombëtar shumëkombësh “Defender Europe 25”. Përmes këtij ushtrimi u tha se Kosova ka dëshmuar se është e gatshme për të qenë anëtare e aleancës veri-atlantike NATO-s.

Në këtë ushtrim ushtarak ku Kosova përveçse si nikoqire, merr pjesë edhe afërsisht me një mijë pjesëtarë të FSK-së, janë të përfshirë edhe 25 mijë trupa nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s.

Gjatë ditës së sotme pjesëtarë të FSK-së përmes skenarëve operativë të përgatitur enkas për këtë ditë, siç është bërë e ditur, Forca e Sigurisë së Kosovës po demonstron gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë me forcat partnere dhe ato të rajonit.

Në ushtrim po marrin pjesë edhe forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Nga afër këtë ushtrim ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës e përcollën komandantja supreme e FSK-së, Vjosa Osmani bashkë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, përfaqësues të vendeve të NATO-s dhe partnerëve ndërkombëtarë, ambasadorë, si dhe oficerë të lartë nga Forca e Sigurisë së Kosovës e shtete pjesëmarrëse në ushtrim.

Komandantja supreme, Vjosa Osmani tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka dëshmuar se është e gatshme jo vetëm të kontribuojmë në operacione të tilla, por njëkohësisht që të jemi shtet i barabartë, shtet anëtar i NATO-s.

Ajo shtoi se sot edhe njëherë FSK dëshmoi në përmasa më të mëdha ndërveprueshmërinë me forcat aleate.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se “Defender 2025”, është dëshmi e fuqishme e aleancës së palëkundur ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.

Ushtrimin ushtarak të pjesëtarëve të FSK-së në kuadër të “Defender Europe 2025”, e përcolli edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili deklaroi se sot u demonstrua fuqia dhe ndërveprueshmëria e FSK-së me NATO-n.

Sipas tij, me këto mënyra po forcohet kauza e Kosovës për anëtarësim në aleancën veri-atlantike.

Kryeministri në detyrë lavdëroi edhe ushtarakët kosovarë.

Shefi i shtabit të ushtrisë amerikane për Evropë dhe Afrikë, Levon Cumpton tha se aftësia për të realizuar ndërveprueshmëri dhe për të ndërtuar gatishmëri së bashku jo vetëm që siguron siguri dhe stabilitet rajonal, por ka ndikim edhe më të gjerë.

Komandanti i Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së ushtrisë amerikane, gjeneral major, Micheal Ëegscheider tha se përmes këtyre stërvitjeve është demonstruar ndërveprueshmëri e plotë.

Sipas tij, heronjtë e vërtetë të kësaj stërvitjeje, ku morën pjesë 18 shtete, janë populli i Kosovës, stafi dhe oficerët e FSK-së nën udhëheqjen e gjeneral Jasharit.

Krahas ushtrimit ushtarak, në poligonin e stërvitjes në Babaj të Bokës u prezantuan edhe pajisjet ushtarake më moderne që i ka Kosova, ku nga afër i inspektuan edhe krerët shtetërorë. Ushtrimi “Defender Europe 2025”, në Kosovë ka nisur nga 26 maj 2025 dhe do të përfundojë më 9 qershor.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›