-Deklarate e Zedhenesit të Kryeministrit Fatos Nano- Në emër të Kryeministrit dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë deklaroj: Republika e Shqipërisë ka njohur dhe respektuar ngri
-Deklarate e Zedhenesit të Kryeministrit Fatos Nano-
Në emër të Kryeministrit dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë deklaroj:
Republika e Shqipërisë ka njohur dhe respektuar ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi,duke besuar në parimet universale të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut sipas konventave ndërkombëtare të njohura e të pranuara botërisht.
Populli i Kosovës, klasa politike kosovare dhe institucionet vendore kanë dëshmuar se ndajnë të njëjtat parime, ndaj në këtë kuadër ne e vlerësojmë lart faktin që politikanët dhe institucionet e Kosovës kanë bashkëpunuar e do të vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe mbështesin këtë institucion dhe gjithë institucionet e tjera partnere ndërkombëtare.
Në këtë kuadër Qeveria e Shqipërisë i bën thirrje klasës politike të Kosovës dhe gjithë aktorëve të tjerë vendorë që të forcojnë bashkëpunimin e tyre vecanërisht me UNMIK.
Zoti Ramush Haradinaj është vlerësuar gjithnjë si një interlokutor i angazhuar jo vetëm brenda spektrit politik kosovar por edhe ne marrëdhënie me bashkësinë ndërkombëtare në tërësi. Kryesimi i qeverisë së re të Kosovës të dalë nga zgjedhjet demokratike të tetorit të vitit të kaluar nga ana e zotit Haradinaj si dhe qëndrimet e tij konseguente deri në dhënien e dorëheqjes e dorëzimit vullnetar në Hagë, kanë dëshmuar se ai është një qytetar dhe politikan i përgjegjshëm, i matur dhe transparent.
Qeveria e Republikës së shqipërisë shpreh bindjen se klasa politike kosovare ashtu si i gjithë populli i Kosovës nëpërmjet qëndrimeve të matura do të vërtetojnë dhe do te deshmojne edhe kete herë gjithe botës se janë për një shoqëri të hapur që respekton parimet dhe standartet multietnike, te demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut.
Me këtë rast shprehim besimin se kjo ngjarje do të përballohet me gjakftohtësinë dhe pjekurinë e mbarë klasës politike dhe shoqërisë kosovare për mbështetjen dhe konsolidimin e institucioneve vetëqeverisëse që të mos pengohet
mbarëvajtja e proceseve të nisura në Kosovë për plotësimin e standarteve të kërkuara dhe arritjen e statusit final aq të rëndësishëm për të ardhmen e saj europiane.
Qeveria e Shqipërisë mbështet plotësisht qëndrimin kurajoz të z. Haradinaj për t'u ballafaquar me të vërtetën dhe e çmon atë si një gjest emancipues që dëshmon kulturën demokratike dhe përgjegjësinë politike jo vetëm të tij, por të mbarë një populli që aspiron për t'u bërë pjesë e pandarë e Europës së Bashkuar.