E Diel, 1 Nëntor 2026

Delfinët shfaqen në detin e Vlorës

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Delfinët kanë dhuruar sërish spektakël sot në ujërat e detit Jon.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet mahnitëse të delfinëve në ujërat e kaltra të bregdetit të Vlorës duke sjellë magjinë e detit në një ditë dhjetori me diell.

Shfaqja e delfinëve ishte surpriza më e bukur për qytetarët dhe turistët pranë bregut, të cilët për disa minuta “vallëzuan” mbi sipërfaqen e ujit, duke dhuruar emocione dhe buzëqeshje.

Delfinët u panë teksa notonin lirshëm, herë në sipërfaqe, e herë duke u zhdukur në thellësi, nën sytë kureshtarë të pushuesve që shëtisnin përgjatë Lungomares.

Qytetarët e Vlorës e konsiderojnë shfaqjen e delfinëve si një shenjë të pastërtisë së ujërave dhe të harmonisë mes natyrës dhe qytetit bregdetar.

Për turistët, kjo përvojë e papritur shndërron një shëtitje të zakonshme dimërore në një kujtim të paharrueshëm.

Me mot të kthjellët, temperatura të buta dhe detin që ofron surpriza të tilla, Vlora dëshmon edhe një herë se është një destinacion që di të magjepsë në çdo stinë, edhe në dhjetor, kur natyra vendos të dhurojë spektaklin e saj më të bukur.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›