Demo: 160 mijë m² hapësira për parkime të reja në 12 bashki

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo deklaroi sot se qeveria ka evidentuar 160 mijë m² sipërfaqe në 12 bashki për ndërtimin e parkimeve të reja urbane.
Gjatë konferencës për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, Demo tha se këto hapësira kanë potencial për krijimin e deri në 15 mijë posteve të parkimit.
Sipas tij, projekti fokusohet kryesisht në bashkitë me intensitet të lartë urban dhe me flukse të konsiderueshme turistike.
“Kemi evidentuar plot 160.000 m² sipërfaqe në 12 bashki, të cilat kanë një potencial deri në 15.000 poste parkimi”, tha Demo.
Ai shtoi se ndërhyrja synon krijimin e aksesit më të qëndrueshëm në zonat urbane dhe përmirësimin e funksionalitetit të qyteteve në kushtet e rritjes së turizmit.