E Diel, 1 Nëntor 2026

Demo: Bashkitë duhet të jenë motorë të rritjes ekonomike dhe transformimit social

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, gjatë një takimi të thirrur nga Kryeministri Edi Rama me kryebashkiakët e vendit, deklaroi se bashkitë duhet të marrin një rol aktiv në procesin e rritjes ekonomike dhe zhvillimit social të Shqipërisë.

Në këtë takim u diskutuan sfidat e vitit 2026, përgatitjet për sezonin turistik dhe betejat e përbashkëta kundër mbetjeve plastike.

Gjatë fjalës së tij, Demo theksoi se qasja e qeverisë është e bazuar në partneritet të fortë me autoritetet lokale:

“Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm për të kapërcyer lartësi të cilat do të krijonin një transformim rrënjësor, jo vetëm ekonomik, por edhe social. Në këtë kuadër, bashkitë kanë një rol shumë të rëndësishëm, pasi energjia që çlirohet në nivel lokal është vendimtare. Burimet e rritjes ekonomike janë aty ku bashkitë duhet të luajnë një rol proaktiv, duke u bërë motorë të zhvillimit në territor.”

Ministri u ndal edhe te sfidat e bashkive, duke përmendur përmbytjet e fundit si shembull të situatave të paparashikueshme:

“Sfidat me të cilat bashkitë përballen janë dinamike dhe të larmishme, shpesh të shkaktuara nga elemente të paparashikueshëm siç janë përmbytjet e ditëve të fundit. Besoj se ne të gjithë duhet të bëjmë shumë më tepër për parandalimin e këtyre situatave. Ndihma që bashkitë marrin nga qeverisja qendrore nuk duhet të jetë vetëm për t’u përgatitur për emergjenca, por mbi të gjitha për t’i parandaluar ato dhe për të krijuar zhvillim territorial, sidomos kur flasim për logjistikë dhe mirëmbajtje të infrastrukturës rurale.”

Demo foli edhe për rëndësinë e turizmit gjithëvjetor dhe rolin e bashkive në këtë drejtim:

“Suksesi i Shqipërisë sa i përket turizmit në 12 muaj të vitit nuk vjen vetëm nga bregdeti. Të 61 bashkitë e vendit duhet të jenë të përgatitura. Kjo tregon potencialin e jashtëzakonshëm që kanë të gjitha bashkitë për të krijuar një ekonomi lokale të qëndrueshme. Në çdo cep të territorit mund të zhvillohet një aktivitet ekonomik që i jep jetë komunitetit.”

Ai përmendi gjithashtu Paketen e Maleve, Grantin e Performancës, rolin e Akademisë së Pushtetit Vendor, si dhe Strategjinë Kombëtare të Turizmit dhe rregulloren e plazheve, duke theksuar se qytetarët duhet të kenë një qasje më të lehtë dhe më të organizuar në plazhet e vendit.

Më tej, Demo paralajmëroi se viti 2026 do të sjellë sfida të mëdha për Shqipërinë, sidomos në kuadër të procesit të integrimit europian:

“Viti 2026 mbart shumë sfida për Shqipërinë, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në procesin e integrimit. Të gjitha bashkitë duhet të jenë të përgatitura për një ‘cunami’ nga pikëpamja rregullative, i cili do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën administrative. Ky transformim duhet të përkthehet në shërbime konkrete në territor për qytetarët.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›