E Diel, 1 Nëntor 2026

Demo inspekton punimet në Qendrën Rinore Multifunksionale në Lapardha

TIRANË, 11 mars /ATSH/ Ish-godina e Shtëpisë së Kulturës në Lapardha, Berat, po rikthehet në funksion përmes projektit të rikonstruksionit të Qendrës Rinore Multifunksionale, një investim që synon krijimin e një hapësire moderne për aktivitetet rinore dhe komunitare.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, inspektoi nga afër ecurinë e punimeve, duke theksuar se ky investim do t’i japë një vlerë të shtuar zonës dhe do të krijojë më shumë mundësi për të rinjtë.

Gjatë inspektimit, Demo u shpreh se rikonstruksioni i godinës do ta transformojë ish-Shtëpinë e Kulturës në një qendër bashkëkohore për të rinjtë dhe komunitetin, duke ofruar ambiente të përshtatshme për aktivitete kulturore, edukative dhe sociale.

Projekti parashikon ndërtimin e një salle koncertesh dhe teatri, bibliotekë, ambiente për aktivitete dhe trajnime, si edhe hapësira të dedikuara për lojëra dhe veprimtari krijuese për të rinjtë.

Po ashtu, edhe oborri i qendrës do të rehabilitohet, duke u kthyer në një hapësirë mikpritëse për organizimin e aktiviteteve të ndryshme të të rinjve dhe komunitetit lokal.

Sipas ministrit Demo, kjo qendër do të bashkëpunojë dhe koordinojë aktivitetet me Qendrën Rinore të Beratit, duke krijuar më shumë mundësi për përfshirjen e të rinjve në projekte kulturore, sociale dhe edukative.

Investimi konsiderohet një hap i rëndësishëm në drejtim të rigjallërimit të jetës kulturore dhe sociale në zonë, si dhe në mbështetje të zhvillimit të komuniteteve lokale përmes krijimit të hapësirave moderne dhe funksionale për të rinjtë.

1 nga 3

e.xh/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›