E Diel, 1 Nëntor 2026

Demo merr detyrën e Ministrit të Brendshëm, Koçiu: Përpara me reformat për rritjen e sigurisë

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Pas betimit në Presidencë, Ervin Demo ka marrë detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme. Në prani të zëvendëskryeministres Albana Koçiu, ish-ministri Besfort Lamallari i ka dorëzuar detyrën ministrit të ri të Punëve të Brendshme.

Zëvendëskryeministrja Koçiu ndau pamje në rrjetet sociale nga momentet e para të Demos si ministër i Brendshëm.

“Nisim një kapitull të ri në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por me të njëjtin vizion dhe angazhim për një Shqipëri më të sigurt, më moderne dhe më europiane”, shkruan Koçiu.

Koçiu shprehet gjithashtu besimplotë se eksperienca e Ervin Demos do të kontribuojë në vijimin e reformave dhe punëve të nisura në sektorin e sigurisë dhe rendit.

“Besimplotë se eksperienca e Ervin Demos do të jetë një vlerë e shtuar për të çuar përpara punët e mira dhe reformat, për të rritur sigurinë, garantuar rendin dhe ofruar shërbime më të mira, që u përgjigjen nevojave dhe pritshmërive të qytetarëve”, vijoi ajo.

Ministri i ri i Brendshëm, Ervin Demo nga krahu tjetër shprehet se “e marr këtë përgjegjësi me përkushtim dhe vendosmëri, për një Shqipëri më të sigurt, më moderne dhe më europiane.

Ish-ministri Besfort Lamallari shkruan se i uron suksese në këtë detyrë të rëndësishme dhe me shumë përgjegjësi mikut të tij, Ervin Demo.

“Krahas sfidave që ka përpara, është edhe mundësia për të vijuar transformimin e mëtejshëm, forcimin e sigurisë dhe ndërtimin e një policie gjithnjë e më profesionale dhe europiane. Një falënderim i veçantë e me zemër për të gjithë stafin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me të cilin kam pasur privilegjin të punoj e të bashkëpunoj gjatë këtyre 9 viteve. Ka qenë një rrugëtim i gjatë, me sfida, përgjegjësi dhe shumë punë, por mbi të gjitha një përvojë e ndërtuar mbi profesionalizmin, përkushtimin dhe besimin e ndërsjellë. Secilit prej jush, faleminderit për kontributin, mbështetjen dhe çdo ditë pune në shërbim të institucionit dhe qytetarëve. Stafeta ndryshon duar, por përgjegjësia ndaj qytetarëve dhe puna për Shqipërinë europiane vazhdojnë”, përfundon Lamallari.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›