Dëmtohet mbrojtësi Ardian Ismajli, pritet të mungojë ndaj Serbisë

TIRANË, 1 tetor /ATSH/ Mbrojtësi i Kombëtares, Ardian Ismajli pritet të mungojë në ndeshjen e 11 tetorit ndaj Serbisë në Leskovac, të vlefshme për kualifikueset në “Botërorin 2026”
Ismajli u dëmtua në sfidën që skuadra e tij Torino humbi 2-1 ndaj Parma-s në Serinë A italiane.
Mbrojtësi i Torinos dhe i Kombëtares doli pas 77 minutave lojë pasi u ul në fushë dhe ndjeu një dhimbje muskulare, e cila sipas medieve në Itali mund ta mbajë jashtë për të paktën një muaj.
29-vjeçari iu nënshtrua dje testeve mjekësore dhe rezultatet nuk janë pozitive.
Mediet italiane “Tutosport” dhe “Sportmediaset” raportojnë se Ismajli ka dëmtim muskulor në këmbë dhe se pritet të qëndrojë jashtë fushave të paktën për një muaj. Kjo do të thotë se është thuajse e pamundur që të riaftësohet në kohë për sfidën e Botërorit kundër serbëve në Leskovac, e cila do të jetë pas vetëm 10 ditëve.
Veç Ismajlit, e sigurt është mungesa e Marash Kumbullës, i cili një javë më parë pësoi një lëndim me Mallorca-n, duke mbetur jashtë për një muaj.
Ndërkohë lajme të mira për Juljan Shehun, me mesfushorin që ka lënë gjithçka pas dhe është i gatshëm.
Pas dhjetë ditësh (11 tetor) në Leskovac luhet Serbi – Shqipëri, sfidë e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.
/gj.m/j.p/