E Martë, 3 Nëntor 2026

Denaj: Skema Kombëtare e Investimeve fuqizon fermat familjare

TIRANË, 28 qershor/ATSH/ Me një përvojë prej mbi 35 vitesh në bujqësi dhe një trashëgimi familjare që i ka rrënjët thellë në tokën e Shkodrës, Fasli Bajrami është një nga fermerët model që po kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor në Shqipëri.

Ai menaxhon 7 dynymë sera moderne, ku kultivon një gamë të gjerë perimesh të freskëta dhe cilësore, të gjitha “Made in Albania”, nisur nga sallata e deri te luleshtrydhet, domatja, kastraveci, specat dhe patëllxhanët.

Ferma e tij funksionon si një biznes i mirëfilltë familjar, ku të gjithë anëtarët e familjes kontribuojnë çdo ditë në proceset e prodhimit dhe përpunimit, duke gjeneruar të ardhura të qëndrueshme dhe duke dhënë një shtysë të rëndësishme për ekonominë lokale.

Ky sukses është bërë i mundur jo vetëm falë përvojës dhe përkushtimit të Bajramit, por edhe përmes mbështetjes së Skemës Kombëtare të Investimeve.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur se përmes kësaj skeme, ai ka përfituar financim të kombinuar që përfshin një grant prej 50% dhe një kredi të butë me normë interesi vetëm 2%, e shoqëruar me garanci sovrane që mbulon deri në 70% të kolateralit.

“Kjo formulë e financimit ka bërë të mundur zgjerimin dhe modernizimin e aktivitetit bujqësor, duke shtuar rendimentin dhe cilësinë e prodhimit”, theksoi ministrja.

Skema Kombëtare e Investimeve po shndërrohet në një instrument kyç për zhvillimin rural dhe modernizimin e bujqësisë në Shqipëri. Rasti i Fasli Bajramit është dëshmi konkrete se si mbështetja e synuar dhe e strukturuar e shtetit, kur kombinohet me përvojën dhe përkushtimin e fermerëve, jep rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme.

Fermerët në të gjithë vendin jo vetëm që po kontribuojnë në sigurinë ushqimore dhe ekonominë vendase, por edhe përforcojnë besimin se bujqësia është dhe mbetet një sektor me potencial të madh zhvillimi për vendin. /j.p/

1 nga 9

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›