E Premte, 6 Nëntor 2026

Denoncimi i rëndë i Salianjit: Mungojnë barnat për pacientët me kancer, FSDKSH u telefonon mjekëve dhe thotë fondet kanë mbaruar, nuk ka më buxhet dhe trajtimet duhet të shtyhen

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka denoncuar mungesën e barnave në Spitalin Onkologjik në QSUT, duke akuzuar qeverinë se po bën propagandë me shëndetësinë, ndërsa pacientët përballen me vështirësi për të siguruar trajtimet e nevojshme. Në një reagim në rrjetet sociale, Salianji përmend mungesën e medikamentit PHESGO, i përdorur në trajtimin e kancerit të gjirit HER2 pozitiv. Sipas tij, pacientëve po u ofrohet HERCEPTIN, një terapi tjetër që nuk përmban të njëjtin kombinim të përbërësve aktivë.

Salianji thekson se mungesa e PHESGO lidhet me përfundimin e kontratës së furnizimit, e cila nuk është rinovuar në kohë dhe ende nuk është firmosur kontrata e re. Sipas tij, edhe në rast të nënshkrimit të menjëhershëm, furnizimi me medikamentin do të kërkonte të paktën 60 ditë.

Ish-deputeti ngre gjithashtu shqetësimin për një njoftim që, sipas tij, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u ka përcjellë mjekëve, lidhur me ezaurimin e fondeve deri në fund të vitit. Ai thotë se kjo situatë rrezikon shtyrjen e trajtimeve në disa shërbime, përfshirë onkologjinë, neurologjinë, imunologjinë, kardiologjinë dhe okulistikën. Gjithashtu, ai ka kërkuar edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Reagimi i fortë i Salianjit

Qeveria i lufton me propogandë tumoret, mungesë barnash për pacientët!
Është kriminale se si është gjendja e shëndetësisë shqiptare sot!
Qeveria bën propagandë me Institutin e Tumoreve, ndërsa në Spitalin Onkologjik në QSUT mjekët dhe pacientët ankohen se mungojne shume barna onkologjike. PHESGO, eshte nje shembull konkret ,një medikament i rëndësishëm në trajtimin e kancerit të gjirit HER2 pozitiv.
Pacientëve u ofrohet HERCEPTIN, një terapi tjetër, që nuk përmban të njëjtin kombinim të përbërësve aktivë. Jo sepse mjekët kanë zgjedhur alternativën më të përshtatshme për ta, por sepse PHESGO mungon!
Pse mungon? Sepse kontrata e furnizimit ka përfunduar, nuk është rinovuar në kohë dhe ministrja nuk e ka firmosur kontratën e re. Edhe nëse firmoset sot, furnizimi kërkon të paktën 60 ditë! Vuajtjet njerëzore janë hiçgje perpara mundesise per korrupsion që shikon qeveria ne cdo sektor.
Kjo ishte dhurata e Tetorit Rozë për gratë që luftojnë me kancerin!
Dhe ndërkohë që pacientët presin barnat, vjen një tjetër urdhër nga realiteti i këtij sistemi: FSDKSH u telefonon mjekëve dhe u komunikon se fondet kanë mbaruar, se nuk ka më buxhet deri në fund të vitit dhe se trajtimet duhet të shtyhen!
Në onkologji, neurologji, imunologji, kardiologji, okulistikë dhe shërbime të tjera.
Pra, paratë kanë mbaruar, por sëmundjet jo!
Mjekët janë vendosur në një pozitë të papranueshme: të zgjedhin mes detyrimit profesional ndaj pacientit dhe presionit financiar e administrativ të institucioneve shtetërore.
Ky është një problem që prek drejtpërdrejt jetën dhe të drejtën e qytetarëve për t’u trajtuar.
Ministrja Spahiu duhet të përgjigjet!
Ku janë barnat? Ku janë paratë? Kush i merr përgjegjësitë për kontratat e pambyllura dhe fondet e ezauruara? A po prevalojnë interesat mafioze mbi shëndetin e qytetarëve?
Nuk mund të kesh para për propagandë, fasada dhe inaugurime, ndërsa nuk ke para për ilaçet e pacientëve!
Nuk mund t’u thuash njerëzve që luftojnë me kancerin të presin 60 ditë. Nuk mund t’u thuash pacientëve të tjerë të presin deri në janar, sepse buxheti i shtetit ka mbaruar!
Rama jep dorëheqjen!

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›