Denoncimi për krim zgjedhor në Elbasan, procedohet penalisht personin që u kap me fletë votimi e lista zgjedhësish

Policia e Elbasanit nisi procedimin penal për kryeplakun e fshatit Pekisht, Dervish Beqiri, për falsifikim të materialeve zgjedhore.
Efektivët zbarkuan në lokalin e tij, ku gjetën dhe sekuestruan 10 fletë të ngjashme me fletët e votimit, të paplotësuara, të dyshuara të falsifikuara, si dhe një listë emërore të zgjedhësve.
I njëjti person një ditë më parë u denoncua nga kryetari i PD Sali Berisha dhe kandidati demokrat Bledi Himçi.
Përmes një videoje të publikuar, ata thanë se kanë prova të manipulimit të votave në këtë fshat të Elbasanit.
Po ashtu gjatë kontrollit në banesën e Beqirit janë gjetur një pushkë e vjetër trofe, një pistoletë zhurmuese sportive si dhe një shumë parash.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin, pas njoftimit të marrë më datë 22.05.2025, se në një lokal në fshatin Pekisht, ishin gjetur disa materiale të dyshuara zgjedhore, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, me qëllim verifikimin e rastit.
Gjatë veprimeve të kryera në vendngjarje, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, në lokalin e shtetasit D. B., janë gjetur dhe sekuestruar 10 fletë të ngjashme me fletët e votimit, të paplotësuara, të dyshuara të falsifikuara, si dhe një listë emërore e zgjedhësve. Gjithashtu, është sekuestruar portofoli i shtetasit D. B., me 280 000 lekë.
Më tej, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D. B., janë gjetur një pushkë e vjetër trofe dhe një pistoletë zhurmuese (sportive).
Në vijim të veprimeve për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet procedurale në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. B., për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.
/vizionplus.tv