E Enjte, 5 Nëntor 2026

Deputetët e PD-së 1 minutë heshtje për 14-vjeçarin Martin Cani, Spiropali: Të mblidhen të gjithë deputetët

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/  Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjan kërkoi sot nga deputetët e Kuvendit një minutë heshtje në nderim të 14-vjeçarit të vrarë dje nga bashkëmoshatari i tij jashtë ambienteve të shkollës 9 vjeçare “Fan Noli” në Tiranë.

Teksa mori fjalën në Kuvend, Dogjani tha se “ndërkohë që ne flasim për buxhetin dje një fëmijë u vra me thikë, 14 vjeç pranë shkollës “Fan Noli”. Një fëmijë, i cili ishte i talentuar, futbollist vazhdonte dhe shkollën. Prindërit e rritën deri në moshën 14 vjeç dhe sot ai nuk është më për shkak se ka dështuar shteti në sigurinë e fëmijëve nëpër shkolla por jo vetëm”.

“Për këtë unë do t’i propozoja kuvendit një minutë heshtje në respekt të prindërve, të familjarëve të nxënësve mësuesve dhe të gjithë fëmijëve të Shqipërisë”, tha Dogjani.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali u shpreh se “kjo është ngjarje shumë e rëndë dhe shumë tragjike për t’u trajtuar me këtë lehtësi në këtë kërkesë për procedurë. Duhet të bisedojmë në rast se vendoset për një kohë të përshtatshme dhe për diskutime shumë më të thella për këtë çështje si për procedurë edhe për arsyet e shkaqet”.

Spiropali theksoi se “deputetët nuk janë të gjithë dhe do të ishte mungesë ekstreme respekti së pari për viktimën dhe familjen e tij, mos ta përdorim për politikë të ditës të gjejmë një kohë të përshtatshme”.

Pavarësisht kësaj deputetët e PD-së janë ngritur më këmbë dhe kanë mbajtur një minutë heshtje për 14 vjeçarin.

Ditën e djeshme rreth orës 13:10, në rrugën “Qema Stafa”, rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli” u konfliktuan 3 shtetas të moshës 14 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit ndërroi jetë njëri prej tyre, Martin Cani, ndërsa tjetri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Policia e Tiranës ka arrestuar autorin e ngjarjes së rëndë.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›